Reforma në sektorin ujësjellës, investime për reduktimin e humbjeve dhe rritjen e furnizimit

9 months ago 33

Nga Mimoza Ibra

Me përfundimin e fazës së parë të reformës në sektorin ujësjellës, për abonentët premtohet më shumë orë në ditë furnizim me ujë.

“Kemi një plan për të vazhduar investimet të furnizimit me ujë, kryesisht në zonat urbane ose që nuk kanë pasur investime në disa faza. Janë rreth 40 projekte të reja që pritet të financohen gjatë 2024. Me donatorët vazhdojmë në disa nga qytetet Vlorën, Fierin edhe Elbasanin për furnizimin me ujë. Brenda gjashtëmujorit të parë nisim investimet edhe në Shkodër për furnizimin me ujë, edhe në Lezhë për pjesën e përmirësimit të rrjetit të furnizimit për pjesën e Shëngjinit, por edhe për rritjen e kapacitetit për trajtimin e ujërave të ndotura për qytetin e Lezhës dhe të gjithë zonën. Gjatë 2024 parashikojmë edhe ndërtimin e dy impianteve të trajtimit të ujërave të zeza për Beratin dhe Shkodrën.”, tha Klevis Jahaj, nga Autoriteti Kombëtar i Ujësjellës-Kanalizimeve.

Në vitin 2022, në nivel kombëtar sipas Entit Rregullator të Ujit, kohëzgjatja e furnizimit me ujë u rrit në 16 orë në ditë. Por si mund të përmirësohet më tej ky shërbim?

 “Ka rrugë sa të duash, ashtu siç e kanë zgjidhur të gjithë vendet e zhvilluara. Mjafton të investosh në këtë drejtim, të ndërtosh impiantet e përpunimit të ujit dhe të baseneve ku merret uji me filtra të mirë, të bësh kujdes me linjat e transmetimit të ujësjellësave, të bësh kujdes të mos ndërhyjet në mënyrë ilegale në këto linja.”, deklaroi Agron Haxhimali nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë.

Për të shtuar investimet në këtë drejtim, Autoriteti Kombëtar i Ujësjellësit synon të mbledhë më shumë të ardhura në disa forma:

“Nëpërmjet reduktimit të ujit pa të ardhura, shoqëritë rrisin faturimet ose të ardhurat që duhet të administrojnë. Të gjitha investimet e planifikuara janë të prirura drejt inovacionit dhe teknologjisë. Kjo sjell edhe reduktimin e konsumit të energjisë që këto shoqëri përdorin për furnizimin e popullatës, kjo jep mundësi që të ulet fatura dhe të mos krijohen detyrime të tjera ndaj OSHEE. Ne po shkojmë drejt automatizimit, që të mos duhet të përdoret më fuqia punëtore. Kështu krijojmë eficencën e stafit. 4.6 punonjës për 1000 lidhje që shërbejnë.”, theksoi Jahaj.

 “Ndërmarrjet e reja duhet të ulin shpenzimet e panevojshme. Duhet të mos konsumojnë dhe shpenzojnë para që nuk konvertohen drejtpërdrejt në shërbim për qytetarët. Duhet të investojnë në mënyrë strategjike në sistemet e ujësjellësit.”, u shpreh Haxhimali.

Pas krijimit të 16 shoqërive rajonale të ujësjellësit, objektiv për autoritetet është edhe pajisja e të gjithë abonentëve me sistem matës, për t’i dhënë fund faturimit aforfe./vizionplus.tv

Read Entire Article