Sektori ekonomik pranë Policisë së Tiranës ka goditur një skemë kriminale. Në fokus të operacionit ka qenë spitali Onkologjik në QSUT. Operacioni ‘Kobalti’ është finalizuar me ekzekutimin e masave “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për 7 persona, ndërkohë që janë goditur edhe disa klinika private.
Arrest shtëpie gjykata ka vendosur për mjekun e onkologjikut Edmond Gashi. Ndërsa për zv/drejtoreshën e QSUT-së Brikena Qirjazi dhe mjeken Alketa Ymeri togat e zeza vendosen detyrim paraqitje. E njëjta masë u vendos edhe për Halil Gashi, Florian Marku dhe Drilona Kishta të përfshirë gjithashtu në këtë aktivitet kriminal.
Lexo edhe :
Related Posts
Vizion Plus mëson se për efekt të hetimit, një prej mjekëve të Spitalit Onkologjik është marrë në pyetje në lidhje me shqetësimin që ai kishte ngritur për praninë e rrezeve të kobaltit në ambiente të brendshme, tërësisht të pambrojtura.
Debati i tij me drejtuesit e QSUT, sidomos nëndrejtoreshën Brikena Qirjazi, ka vijuar për rreth një vit por nuk ia ka dalë t’i bindë që aparaturat të zhvendosen në ambiente të sigurta dhe për këtë arsye ka vendosur të largohet pasi po ndikonte në shëndetin e të gjithëve.
Në momentin që i është thënë që ndodhet një burim kobalti pranë kabinetit të radiologjisë ka kërkuar të jepen të dhënat. Kjo i është refuzuar nën pretekstin e informacioneve të rezervuara.
Me dijeninë e tij aty ka ardhur një ekspert nga Agjencia Atomike e Vjenës, pasi është bërë e mundur vënia në punë e aparatit. Gojarisht i është transmetuar pas matjeve të kryera me aparat ndezur dhe pa pacientë, pra në ajër, dozat nëpër korridoret e onkologjikut kanë rezultuar rreth 20 herë më të larta se norma e lejuar.
Pas kësaj kërkoi një takim me drejtuesit e QSUT ku t’i prezantohej raporti dhe të gjithë së bashku të kishin një vendimmarrje sa më të shpejtë për korrigjimin e problematikës.
Kërkesa e tij ishte largimi i aparatit nga ambientet e pambrojtura në ambientet e mbrojtura dhe transformimi në një ambient ashtu siç e kërkojnë standardet normale.
Mbledhja u realizua nën drejtimin e nëndrejtoreshës së QSUT Brikena Qirjazi, dhe pjesëmarrës të tjerë.
Ky takim në vend që të jepte zgjidhje duke u bazuar në të vërtetën e fakteve u kthye në një gjyq ndaj mjekut dhe pyetja që i drejtohej ishte nëse ishte rrezatuar ose jo dhe kjo pyetje është bëra nga nëndrejtoreshë Brikena, e përsëritur disa herë që duhet t’i faktonte rrezatimin.
Që në fillim të takimit mjeku kërkoi që mbledhja të protokollohej në mënyrë që gjithsecili të mbante përgjegjësi për çfarë do të thoshte, por pas disa minutash i rezultoi se nuk po shënohej asgjë.
Mjeku u tha hetuesve se surpriza nga ky takim ka qenë nga përgjegjësia e zyrës për mbrojtjen e rrezatimeve në QSUT, e cila nxori një letër që nuk e ka parë të arsyeshme ta lexonte ku pretendohej që QSUT ishte licencuar që mund të magazinonte mbetjet radioaktive. Meqenëse mbledhja nuk po protokollohej, nuk po flitej për çështjen për të cilën ishin mbledhur, mjeku e pa të arsyeshme të largohet.
Pas disa muajsh që ishte larguar nga Spitali Onkologjik, për shkak të mospajtimit të tij me kushtet e punës që po i afroheshin, ka marrë vesh nga kolegë që janë bërë matje nga të huajt dhe është lënë një procesverbal i cili dorëzohet në drejtorinë e QSUT dhe ka rezultuar ambient i papërshtatshëm për punë dhe për mundësi transformimi për bunkerët./vizionplus.tv