“S’ka më shtëpi të re pas tërmetit”, qeveria bën gati projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave

4 months ago 24

Nga Mimoza Ibra 

Përmes disa ndryshimeve në ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, të hedhura në konsultim publik, qeveria heq përgjegjësinë nga vetja për t’u përgjigjur për dëmet e shkaktuara në raste të fatkeqësive natyrore.

Ndryshe nga rasti i tërmetit të vitit 2019, kur qeveria mori përsipër ndërtimin e banesave të reja për qytetarët e prekur, me ndryshimet e reja, shteti jep ndihmë financiare, por nuk mbulon të gjitha kostot.

Kjo ndërhyrje në ligj bëhet për të shtyrë më tej sigurimin e detyrueshëm të banesave, i cili në mënyrë vullnetare është në shifra të pakënaqshme.

“Sigurimet vullnetare janë shumë shumë të ulëta. Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe në botë  për shkallën e penetrimit të këtij produkti, për sigurimin vullnetar të pronës. Duke marrë parasysh rreziqet dhe çfarë pasojash lënë në ekonomitë e familjeve, por edhe të shtetit, është i nevojshëm sigurimi i detyrueshëm. Nëse trashëgojmë një përvojë që shteti është aty për të dëmshpërblyer në çdo rast rreziku, dëmi në ekonomi do të ishte shumë i madh”, thotë Mimoza Hajdarmataj, nga Shoqata e siguruesve të Shqipërisë.

Qeveria, në bashkëpunim me grupet e interesit, është duke hartuar një draft të ri për të bërë me detyrim sigurimin e banesave.

“Formula e sigurimit të detyruar nuk është shpikje apo gjetje e Shqipërisë. Të shumta janë vendet në botë që e kanë kthyer sigurimin e pronës në të detyrueshëm. Duke qenë i siguruar një qytetar ndaj një primi të përballueshëm, sigurimi i pronës të jep siguri ndaj rreziqeve natyrore, që në momentet që ndodhin, ai është i mbrojtur dhe mund të marrë dëmshpërblimin financiar ndaj asaj që ka siguruar”, thotë Hajdarmataj.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë vitit 2023 numri i kontratave të sigurimit vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës regjistroi një rritje me 3.8%, krahasuar me vitin 2022./vizionplus.tv

Read Entire Article