Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar të PD-së, i cili diskutoi mbi rrugën që do të ndjekin në përballje me maxhorancën.
Diskutimi në mbledhje u fokusua mbi faktin nëse do ta përshkallëzonin më tej përballjen me maxhorancën apo do të vijonin me bllokimin e punimeve.
Siç mësohet nga burime të brendshme, deputetë të rinj të PD-së, siç janë Bledjon Nallbati dhe të tjerë propozuan përshkallëzimin e qendresës, e cila mund të shkojë deri edhe në ngujim në grevë urie brenda ambienteve të Kuvendit, propozim që nuk mori shumë mbështetje edhe nga deputetë që njihen për linjën e tyre të ashpër ndaj kësaj maxhorance.
Ky propozim thonë burimet nuk u mbështet as nga Gazment Bardhi, i cili udhëhoqi edhe një bashkim me grupin e Berishës.
Mësohet se bashkimi po ashtu ishte një tjetër temë e diskutimit, e cili është kthyer edhe në një përballje mes Ferdinand Xhaferajt dhe Bujar Leskajt në lidhje me rolin e Berishës brenda opozitës.
Mësohet se Xhaferaj ka shprehur shqetësimin mbi parashtrimin e programit të PD nga Berisha pa u konsultuar me grupin, ndërsa në lidhje me bashkimin shtroi edhe pyetjen nëse bëhet fjalë për një “bashkim në diversitet apo dorëzim pa dinjitet (te Berisha sh.r)”, ndërsa kërkoi edhe rikthimin në Kuvend të opozitës.
I kontaktuar nga redaksia e WEB-t të Vizion Plus, Xhaferaj nuk preferoi të komentonte mbi këtë deklaratë, ndërkohë që deputetë të tjerë të kontaktuar konfirmuan se nuk kishin patur një qendrim të unifikuar mbi qasjen që do të kenë në vijim duke planifikuar një mbledhje tjetër gjatë ditëve në vijim. /vizionplus.tv