Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se është e nevojshme që Izraeli të shmangë hapjen e një fronti të dytë kundër grupit militant libanez, Hezbollah.
Ai këto deklarata i bëri gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, në Pentagon më 25 qershor.
“Një luftë tjetër midis Izraelit dhe Hezbollahut lehtësisht mund të shndërrohet në një luftë rajonale me pasoja të tmerrshme për Lindjen e Mesme. Prandaj, deri më tani, diplomacia është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzim të mëtejmë”, tha Austin.
Gallant tha se ne po punojmë ngushtë së bashku për të arritur një marrëveshje, por ne duhet po ashtu të diskutojmë për gatishmërinë për çdo skenar të mundshëm.
Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, ka sulmuar Izraelin pothuajse menjëherë pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor sulmoi Izraelin, sulm që nxiti luftën në Gazë.
Që atëherë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore, duke detyruar që dhjetëra mijëra persona të zhvendosen në dy anët e kufirit. Luftimet janë përshkallëzuar javët e fundit, duke rritur frikën se ato mund të shndërrohen në luftë të gjerë. rel