Me një turizëm në ekspansion dhe bujqësinë në stanjacion, agroturizmi qëndron mes dy sektorëve si një fushë ende me shumë potencial për t’u zhvilluar, duke bërë bashkë atraksionet turistike me prodhimet bujqësore. Deri më sot agroturizmi vetëm sa ka hedhur themelet në Shqipëri dhe për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Turizmit synojnë që numrin e njësive agroturistike të certifikuara ta çojnë nga 25 aktualisht në 100 në vitin 2027, duke ofruar lehtësi për individët e interesuar për të investuar në këtë fushë. Flori Uka, një nga operatorët në këtë treg, i mbështet nisma të tilla, por së pari, sipas tij, individët duhet të mësojnë konceptin e agroturizmit për të mos përfunduar tek abuzimet më pas.
“Agroturizmi është një fermë bujqësore ose blegtorale që nuk arrin dot të jetë kompetitive në treg dhe bën një vlerë të shtuar brenda fermës për të thërritur konsumatorin në fermë. Në Shqipëri nuk ka funksionuar kështu. Zakonisht fillimisht kanë bërë një godinë në fshat, që për mendimin quhet restorant. Shteti nuk ka ende hapësirë për të identifikuar mirë sektorin dhe për këtë arsye po abuzohet shumë dhe ka restorante që hiqen si agroturizëm, duke qenë se nuk ka legjislacion të saktë”, tha Uka gjatë një interviste për “E-ZONE”.
Mes pikash që duhen rishikuar, Flori Uka rendit kriteret për numër dhomash apo numër tavolinash, të cilat sipas tij shtyjnë subjektet agroturistike drejt abuzimit.
“Po të shohësh legjislacionin që e përkufizon me shtretër ose dhoma, kur dikush e hap në një zonë shumë të vogël dhe ka minimum 30 shtretër dhe ai nuk ka mundësitë, vetëm për të arritur të bëjë atë, do të shkatërrojë diçka për ta bërë atë dhe për ta mirëmbajtur do të vazhdojë të shkatërrojë. Kur nuk ke resurset për të mbajtur shtretër dhe tavolina, ti do të bëhesh abuziv sepse natyra aq jep. Ti do t’i marrësh më shumë kështu që do shkatërrosh për të bërë ekonomi paraje, por jo ekonomi konsumi”, shtoi ai.
Ajo që duhet mbajtur parasysh kur investon në agroturizëm, sipas Flori Ukës, është që t’i nuk mund të bësh dot garë me kohën e natyrës.
“Ky sektor nuk bëhet dot për një kohë shumë të shkurtër, do dije, do 2-3 dekada edukim breza që të kuptojnë çfarë është natyra dhe të mos e dëmtojnë atë. Propozimi im kryesor është edukimi, të mos artificializohet ambienti që të merret diçka e shpejtë dhe të jenë kompetitivë në treg, kjo e shkatërron natyrën sepse natyra e shkretë aq e ka takatin. Duhet investuar në dije, themele. Nëse nuk e bëjmë këtë, është e kotë të sjellësh kaq milionë euro sepse nuk e dimë ku do t’i hedhim. Njerëzit shkojnë në fshat dhe bëjnë godina me gurë, por kjo nuk ka lidhje fare me agroturizmin. Agroturizmi është komplet kulturë kulinare, bujqësore, të njohësh tokën, fshatin, shpendët, kafshët, të prodhosh verën, djathin. Shoh agroturizma mbi 80% shesin verë italiane ose shesin edhe pica”, deklaroi Uka.
Agroturizmi, për Flori Ukën është e vetmja rrugë për të zhvilluar më tej turizmin dhe kjo mund të arrihet vetëm në një mënyrë:
“Duhet të shesim luksin, luksi i vetëm që i ka mbetur Shqipërisë është virgjiniteti. Atë duhet të shesim dhe për atë po vijnë turistët. Njerëzit duan të shohin fermerin, lopën, hardhinë”, sqaroi Uka gjatë një interviste për emisionin “E-ZONE”./vizionplus.tv