Organizatat për të drejtat e grave në SHBA shprehën zemërimin e tyre, të hënën, pasi organizata e gazetarisë investigative ProPublica publikoi një artikull për vdekjen e një gruaje të re në Gjeorgji, e cila vdiq në spital për shkak se nuk mori kujdesin e duhur në kohë për shkak të masave të rrepta, bazuar në ligjin e shtetit për abortin.
Amber Thurman, 28 vjeç, përjetoi komplikime të rralla pasi mori pilulën e abortit për t’i dhënë fund shtatzënisë. Ajo vdiq në gusht 2022.
Një komision shtetëror i Gjeorgjisë, i përbërë nga ekspertë të ngarkuar për hetimin e vdekjeve me qëllim të përmirësimit të shëndetit të nënës, vendosi se vdekja e Thurman ishte “e parandalueshme”, sepse mjekëve iu desh shumë kohë për ta trajtuar atë .
Në atë kohë, në Gjeorgji sapo ishte miratuar kigji që e bënte këtë procedurë, kuretazhin e mitrës, një krim. Mjekët që shkelin ligjin përballen me akuza penale dhe rrezikojnë deri në dhjetë vjet burg.
Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se ligji nuk është formuluar mjaft qartë. Ata kanë theksuar gjithashtu se dispozita, sipas së cilës lejohet operimi në rastet kur rrezikohet “jeta e nënës”, nuk bazohet në të dhëna shkencore dhe nuk merr parasysh përkeqësimin e mundshëm të shpejtë të shëndetit të gruas./vizionplus.tv