Shtetet e Bashkuara dhe Iraku do të fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund pranisë së koalicionit ushtarak ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe kalimin në një partneritet dypalësh, duke vazhduar procesin që ka mbetur pezull si pasojë e luftës Izrael-Hamas.
Përmes një deklarate këtë të enjte, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se bisedimet do të fillonin “në ditët në vijim”.
Në gusht 2023, Iraku dhe Shtetet e Bashkuara u angazhuan për bisedimet, të cilat sipas zotit Austin do të bënin të mund që një marrëdhëniet dypalëshe të ndërtoheshin në suksesin e fushatës së Irakut për Shkatërrimin e Shtetit Islamik, në Irak dhe Siri.
“Forcat ushtarake amerikane gjenden në Irak me ftesë të qeverisë irakiane, si pjesë e një misioni për të këshilluar, ndihmuar dhe mundësuar forcat irakiane të sigurisë në luftën e tyre të vazhdueshme kundër ISIS-it. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një siguri të qëndrueshme dhe sovranitetin e Irakut”, tha zoti Austin.
Zyrtartët thanë se vendimi u planifikua pasi forcat irakiane kanë arritur të forcojnë aftësitë e tyre për të luftuar në mënyrë të pavarur pjesët e mbetura të grupit terrorist të Shtetit Islamik, në mënyrë që të parandalojnë rigjallërimin e tij.
Marrëveshja, me forcat irakiane në krye që nga dhjetori 2021, ka rezultuar e suksesshme, sipas zyrtarëve.
Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, në Irak ka më pak se 1000 luftëtarë të Shtetit Islamik ndërkohë që udhëheqësit e tij janë dobësuar ndjeshëm.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 2,500 trupa në Irak, me synim me këshillimin dhe ndihmën e forcave irakiane të sigurisë, ndërsa ato vazhdojnë përpjekjet kundër grupit të Shtetit Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS ose Daesh./voa