Edhe pse pas luftës në Ukrainë pritej që Bashkimi Evropian të përshpejtonte procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit tonë, ritmet e integrimit mbeten të ngadalta, të paktën krahasuar me pritshmëritë e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu shpjegon se krahas lodhjes së BE nga zgjerimi tashmë rajoni ynë është lodhur nga procesi i zgjatur i anëtarësimit dhe sipas sondazhit të fundit të Ballkan Barometër vetëm 54 % e qytetarëve besojnë te ky process, edhe pse shqiptarët mbeten më optimistët me 77% që besojnë te ky proces.
“Lufta në Ukrainë ishte le të themi një tjetër zile alarmi për vendimarrësit në BE, e cila u shoqërua me një vendim më të shpejtë për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën në procesin e anëtarësimit, po ashtu edhe me statusin për Bosnje Hercegovinën. Por pjesa e përshpejtimit të ritmeve të integrimit përsa kohë që ka edhe pengesa bilaterale politike siç ndodhi me Maqedoninë e Veriut apo ka mungesë të thelluar të reformave siç ndodh me një pjesë të rajonit nuk mund të jetë një ritëm shumë i shpejtë. Të gjithë kemi ndryshuar. Ka ndryshuar BE, kanë ndryshuar vendet tona, pritshmëritë tona por edhe problematikat tona”, tha Bregu.
Për të përshpejtuar integrimin e për të ndihmuar vendet tona të anëtarësohen në BE, 10 vite me parë u krijua Procesi i Berlinit. Në 14 tetor vendet e rajonit do të mblidhen serish në kryeqytetin gjerman për të diskutuar marrëveshje dhe rrugë të reja bashkëpunimi.
“Presim të kemi marrëveshje të tjera në samitin e tetorit. Ndërkohë që marrëveshjet që janë firmosur në Tiranë edhe në Berlin ku janë marrëveshjet për njohjen e diplomave apo marrëveshje të tjera si ajo e uljes së tarifave celulare janë në fazën e impementimit. Do të shohim si do të shkojë Procesi i Berlinit, nuk është se jemi pa probleme edhe deri ne datën 14 tetor”, tha Bregu.
Po kërcënimi gjerman?
“Ne shumë shpejt këtë javë do të kemi mundësi të flasim me të gjithë partnerët përfshirë Gjermaninë, BE dhe të gjitha vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën“, theksoi Bregu.
Majlinda Bregu e cila është një prej figurave më të njohura të Partisë Demokratike, më 31 dhjetor përfundon mandatin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Por a do të kthehet Majlinda Bregu në skenën politike shqiptare në Partinë Demokratike?