Gjykata Kushtetuese mbylli sot shqyrtimin e 4 padive kundër vendosjes së tatimit mbi fitimin për 30 mijë profesionistë të lirë.
Partia Demokratike së bashku me dhomën e avokatisë dhe shoqatat e kontabilistëve kanë argumentuar para gjyqtarëve se ky ligj është antikushtetues, pasi tatimi në nivelin 15% dhe 23% për profesionet e lira cenon barazinë dhe sigurinë juridike.
“Qeveria shqiptare me sistemin e taksave ka krijuar sistemin më të padrejtë. I ka taksuar më shumë profesionistët e lirë se çdo profesion tjetër, se çdo biznes tjetër, më shumë se në të gjithë rajonin. Ka prishur drejtësinë dhe barazinë para ligjit”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut vendi ka nevojë për një sistem të drejtë taksash dhe qeveria me këtë ligj dëmton shtresën e mesme.
Po sot Gjykata Kushtetuese mbylli edhe shqyrtimin për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Partia Demokratike i është drejtuar për herë të dytë gjykatës, duke i kërkuar të detyrojë parlamentin që mandatin e ish-ministres së Jashtme ta dërgojë në Kushtetuese./vizionplus.tv