Analfabetët funksional jashtë shtuar.
Specialistët e arsimit shqetësohen se koha e tepruar në internet, keqpërdorimi i teknologjisë dhe metoda e mësimdhënies po rrit fëmijë që nuk kuptojnë çfarë lexojnë. Kjo dukuri po shfaqet që në klasat e arsimit fillor.
“Problemi i ka fillimet që në ciklet e para të shkollimit. Nëse nuk i kushtojmë rëndësi procesit të të kuptuarit çfarë lexojmë, të asaj që shkruajmë që në vitet e para të shkollimit, këto hendeqe rriten. Nëse dikur ishte detyruese që duhet të lexonim X libra jashtëshkollorë, të thonim mendimin tonë, këto orë janë në reduktim. Ndikim të madh kanë edhe rrjetet sociale. Ekrani vret krijimtarinë sepse i marrim gjërat e gatshme”, tha Irida Sina, eksperte arsimi.
Irida Sina kryen prej vitesh kryen trajnime në shkolla dhe vë re se shpjegimi i mësuesve është i cunguar dhe ende jo të gjithë përshtaten me metodat e reja për të tërhequr vëmendjen e nxënësit në mësim.
“Ne futëm kurrikulën me kompetenca që të nxisnim mendimin kritik, krijimtarinë, por ne vazhdojmë në shkollat tonë me mësuesit që ju kërkojnë nxënësve riprodhim të njohurive. Shohim mësuesit që mbushin tabelën, por nuk kujdeset që të pyes a e kuptove çfarë shpjegova? Sepse në klasë kemi nxënës me ritme të ndryshme të të nxënit. Me riprodhimin kemi bërë thjesht disa nxënës mekanik që mësojnë përmendësh, që kur mbaron shkolla nuk mban mend gjë se ka pasur merak notën”, shtoi ekspertja.
Ndërlidhja e temave mësimore është e nevojshme sipas këshillave të ekspertëve, informacion që mund të vihet në zbatim në të ardhmen; teksa janë kundër mësimit përmendësh që nuk zhvillon logjikën e nxënësve.
“Pse më duhen mbledhjet edhe zbritjet? Se si një individ i rritur që do duhet të dijë veprime, prandaj ka rëndësi matematika. Pse duhet gjuha? A do i duhet në jetën reale të gjejë emrin dhe mbiemrin, rasën, lakimin? Jo do i duhen aftësitë folëse, të dijë të krijojë saktë strukturën e një teksti, e një krijimi. Kjo është ajo që i mungon sot shtyllës së kurrikulës, lidhja e koncepteve me njëri tjetrin”, tha Sina.
Rezultatet e Pisa-s treguan gjithashtu rënien e ndjeshme të aftësive të nxënësve shqiptare në lexim, shkencë dhe matematike me performancën më të ulët se më parë.
Top Channel