Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i paraqiti kabinetit të sigurisë një plan politik për të ardhmen në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës kundër Hamasit militant-islamist. Organizata e Hamasit kategorizohet nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera si organizatë terroriste. Ishte hera e parë që Netanjahu prezantoi një plan të tillë publikisht.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit filloi pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor në Izrael. Sipas të dhënave izraelite në këto sulme u vranë aty 1160 vetë dhe u morën 250 vetë si pengje. Ende mbahen 130 pengje në Rripin e Gazës, sipas të dhënave izraelite, rreth 30 prej tyre duhet të jenë të vdekur.
Kush qeveris në të ardhmen në Gaza?
Ende plani izraelit për Gazën ka formulime të vagullta. Kështu aty thuhet që Gaza në të ardhmen do të administrohet “nga nëpunës lokale me përvojë profesionale”. Këta “nuk duhet të kenë lidhje me organizata terroriste apo vende që mbështesin terrorizmin dhe nuk do të paguhen prej tyre”. Por nuk përcaktohet cilët do të jenë këta nëpunës. Autoriteti Autonom Palestinez që qeveris në Jordanin Perëndimor nuk përmendet shprehimisht në letër. Por as nuk përjashtohet pjesëmarrja e tij në një administrim të ardhshëm të Rripit të Gazës.
Kontroll sigurie nga ushtria izraelite
Sipas të dhënave në media, konkretisht të gazetave, Times of Israel dhe Hareetz, në të ardhmen ushtria izraelite duhet të ketë “kontroll të plotë të sigurisë” për të gjithë rripin bregdetar. Kjo do të thotë që të shkatërrohen të gjitha strukturat ushtarake të Hamasit. Ushtria izraelite, sipas planit, do të mund të operojë në çdo moment në Rripin e Gazës dhe të ketë “liri të pakufizuar” për misionet e saj.
Edhe nga një rrugë e re, që ndan Rripin e Gazës në veri dhe jug, Izraeli premton sipas mediave një kontroll më të mirë të sigurisë. Vëzhgues megjithatë shprehen me dyshim, nëse Izraeli mund ta përdorë këtë rrugë që të pengojë kthimin në veri të refugjatëve palestinezë të larguar në jug me fillimin e luftës. Sipas Haaretz plani parashikon, që të ketë edhe një zonë të ndërmjetme mes Rripit të Gazës dhe Izraelit, që kontrollohet nga ushtria izraelite dhe në të cilin nuk mund të kthehen civilët. Kjo zonë do të zvogëlonte edhe më tej zonën e banueshme në Rripin e Gazës. Përveç kësaj Izraeli do të operojë edhe në kufirin mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës dhe të pengojë kontrabandën për në Gaza.
Fund për UNRWA?
Një tjetër objektiv pas lufte i Izraelit është mbyllja e organizatës së OKB për ndihmën ndaj palestinezëve, UNRWA. Kryeministri izraelit e akuzon këtë organizatë, se është infiltruar nga Hamasi. Sipas akuzave izraelite, disa punonjës të kësaj organizate kanë marrë pjesë në sulmin e gjerë të Hamasit kundër Izraelit. OKB i ka liruar nga detyra punonjësit e fajësuar, dhe ka filluar hetime të brendshme. Si reagim ndaj kësaj, një sërë vendesh, mes tyre, SHBA dhe Gjermania ndërprenë ndihmat për këtë organizatë.
Refuzim i kërkesave të ekstremistëve
Nentanjahu nuk i plotësoi kërkesat e ekstremistëve të djathtë në kabinetin e tij. Këta kishin kërkuar ndër të tjera, që Rripi i Gazës të përdoret për vendosjen e kolonëve izraelitë. Ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, ministër për Sigurinë kishin kërkuar që popullsia palestineze të vendoset jashtë Rripit të Gazës.
Netanjahu e kishte hedhur poshtë që në janar idenë e ngritjes së ngulimeve izraelite në Gaza. Edhe ministri i Jashtëm amerikan, Blinken e kishte kritikuar këtë deklaratë. Zgjerimi i ngulimeve në rajonet palestineze pengon paqen, ishte shprehur Blinken.
Izraeli jo për zgjidhjen me dy shtete
Netanjahu refuzon zgjidhjen me dy shtete të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Me këtë ai del kundër objektivave që ndjek SHBA. Shtetet e Bashkuara janë për Autoritetin Autonom Palestinez të presidentit Mahmud Abas, që duhet të marrë sërish kontrollin mbi Rripin e Gazës. Një zëdhënës i këtij autoriteti autonomWe hodhi poshtë planin e Netanjahut. “Rripi i Gazës do të jetë pjesë e një shteti të pavarur palestinez me Jeruzalemin si kryeqytet”, ka thënë zëdhënësi sipas agjencisë së lajmeve palestinez, Wafa. Nëse do stabilitet dhe siguri në rajon, Izraeli duhet t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze dhe ta njohë një shtet të pavarur palestinez me Jeruzalemin si kryeqytet”, ka thënë zëdhënësi./DW/