Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbuloi detaje të tjera në lidhje me konstatimin e një droni gjatë mbrëmjes së djeshme në Burgun e Peqinit, i dyshuar se po përdorej nga grupe kriminale për të furnizuar me drogë dhe aparate celulare personazhe të ndryshëm në këtë burg.
Fillimisht droni është konstatuar nga shërbimet e sigurisë rreth orës 20:40 dhe për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut.
Lexo edhe :
Related Posts
Pasi u identifikua mjeti fluturues, u njoftuan menjëherë forcat e sigurisë të IEVP Peqin, të cilët, së bashku me Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve realizuan kontrolle të hollësishme në zonën e hapur dhe të mbyllur të institucionit të rregjimit të IEVP Peqin.
Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
“Është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.