Nga muaji tetor një skemë e re mbështetjeje për fermerët që duan të rrisin investimet do të nisë të zbatohet.
Skema nis me një fond prej 500 mln lekë, të siguruara nga akti normativ dhe ka si synim të mbështesë investimet në sera, në blegtori dhe peshkim, duke ofruar shteti 50% të vlerës grant. Ministrja e bujqësisë Anila Denaj njoftoi fokusin e kësaj skeme.
“Fokusi i parë, do të jetë për të gjithë të interesuarit që duan të zgjerojnë investimet në serra, të cilat sot kanë rritur sipërfaqen në hektarë në gati 2200 ha nga 1000 ha që ishte para pesë vitesh dhe kjo Skemë Kombëtare ndihmon më shumë rritjen me mesatarisht sipas parashikimit nga 200 deri në 250 ha në vit për të siguruar një produkt cilësor në zinxhirin e ushqimit, jo vetëm për prodhimin vendas, por mbi të gjitha për tregun e synuar evropian, i cili sot në 80 tregje elitare na nderon dhe na siguron të ardhura në këtë sektor”, tha Denaj
Fokusi i dytë është sektori i blegtorisë, i cili ka rënien më të madhe në vendin tonë dhe duke dhënë efekt zinxhirë në shumë në degë të ekonomisë.
“Nëpërmjet kësaj skeme të investimeve me 50 % grant do të mundësojmë rritjen e infrastrukturës së mbarështimit të kafshëve dhe shpresoj që të gjitha këto investime të jenë të fokusuara në standardet të cilësisë sipas atyre të Bashkimit Evropian e do t’i vij patjetër në ndihmë si ndërtimit të serave gjithashtu edhe të stallave”, shtoi ajo.
Sektori i tretë që do të përfitojë do të jetë ai aktualisht, ku nëpërmjet mbështetjes me financim, synohet që të rritet sasi e peshkut që kapet në vendin tonë. Sot kapen në vit 9600 ton, ndërsa synimi është që të shkohet drejt nivelit 30 mijë ton. Aplikimet do të nisin në tetor, ndërsa kushtet dhe kriteret do të bëhen të ditura nga zyrat bujqësore të zhvillimit rural. /vizionplus.tv