Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi socialistët vendosën që të pengojnë kalimin në Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetes, Olta Xhaçka, me 65 vota abstenim, 9 kundër dhe 25 pro. Në këto kushte, kryeparlamentarja Elisa Spiropali u shpreh se çështja “Xhaçka” do të shkojë në Komisionin e Venecias.
Përmes një postimi në rrjetin social, Bardhi e ka konsideruar si një “puç kushtetues të Kuvendit’, duke theksuar se u injorua autoriteti i Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti demokrat thotë se të gjithë ata qytetarë të cilët kishin dyshime se kryeministri Edi Rama “tjetër gjë thotë e tjetër bën”, ditën e djeshme morën përgjigjen finale.
“Me votë politike të Edi Ramës në Kuvend dje u ekzekutua përfundimisht Reforma në Drejtësi. Puçi kushtetues i Kuvendit duke injoruar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese është i pandodhur kurrë në 34 vjet, i paprecedent dhe i denjë vetëm për regjimet diktatoriale.
Dje u varros përfundimisht edhe propaganda e Edi Ramës për komisione të posaçme për Shtetin Ligjor. Të gjithë ata që dyshuan se Edi Rama tjetër gjë thotë dhe tjetër gjë bën, morën përgjigje finale me votimin e djeshëm, ku për herë të dytë Edi Rama refuzoi të ekzekutojë vendimet e GJK.
Shteti personal nuk ka asnjë lidhje me shtetin ligjor. Një vend kandidat për në BE dhe një vend anëtar i NATO-s ka shkelmuar para çdo shqiptari dhe ndërkombëtari parimet elementare të shtetit ligjor. Nga dje Shqipëria nul ka asnjë dallim me vendet autoritare!
GPPD dënon me forcë aktin e djeshëm të Kuvendit dhe të Edi Ramës, për ti dhënë statusin e paprekshme nga drejtësia bashkëpunëtores së tij dhe garanton se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor”, shkruan Bardhi./vizionplus.tv