Ministrja e e Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar për deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thotë se Basha nuk ka asnjë lidhje me realitetim, teksa i kujton atij financimin nga paratë ruse.
“Lulëzimin e paska zgjuar nga gjumi ëndrra e Saliut se “bomba McGonigal” në Amerikë do hidhte në erë “regjimin monist” të Edi Ramës në Tiranë!
Por halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja! Kështu, teksa Saliu u mbajt fort të mos binte nga ballkoni, kur “regjimi monist” i Tiranës në vend të bombës imagjinare mikpriti vetë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Lulëzimi u ngrit nga krevati për të thënë se gjykata amerikane e paskësh dënuar sipas tij Mc Gonigalin, duke e fajësuar se ka dashur të nxijë për llogari të Edi Ramës faqen e bardhë të bukuranit Lul!
Jo Lulëzim jo, asnjë lidhje s’kanë si zakonisht me realitetin ato që thua nga maja e krevatit në realitetin paralel ku ti vegjeton! Paratë ruse me të cilat financove çadrën e lirisë dhe e damkose PD-në në raportet serioze amerikane ishin para ruse, janë para ruse dhe do të mbeten para ruse!
S’ka ëndërr që të shpëton nga hija e atij pazari të pisët në dëm të Shqipërisë dhe s’ka shqiptar që të beson më kur zgjohesh nga gjumi.
Prandaj kthehu në anën tjetër e vazhdo fli dhe rrofsh që kur zgjohesh na bën për të qeshur, edhe pse demokratët i bën për të qarë kur u kujton se sa gjatë i mbajte peng në realitetin tënd paralel”, shkruan Spiropali.
Basha, ka hedhur akuza në drejtim të kryesocialistit, Edi Rama, një ditë pas dënimit të caktuar ndaj ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal.
Ai theksoi se drejtësia amerikane u shpreh lidhur me këtë çështje duke nxjerrë kështu në pah se si Rama mundi të korruptonte shefin e kundërzbulimt të një vendi aleat.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër të korruptojë shefin e kundërzbulimt të një vendi mik, aleat dhe partner strategjik me qëllimin e vetëm për të goditur dhe dëmtuar kundërshtarin e tij politik, në këtë rast Lulzim Bashën dhe PD.
Shumë miq, dashamirës dhe mbështetës kane shprehur habinë deri në frustrim se pse nuk flet Lulzim Basha.
Kjo edhe pse në fakt që prej ditës se parë unë e kam thënë se gjithçka është një stisje e ndyrë”, tha ai. /vizionplus.tv