Stramer takohet me Melonin në Romë, diskutime për imigracionin e parregullt

1 month ago 21

Kryeministri britanik Keir Starmer do të takohet sot në Romë me homologen e tij italiane Giorgia Meloni për të diskutuar mënyrat për të trajtuar imigracionin e parregullt.

Sipas shtypit britanik, Starmer, i cili hodhi poshtë planet e qeverisë së mëparshme të Britanisë për të deportuar emigrantët e parregullt në Ruanda, ka treguar një “interes” për politikën e imigracionit të Melonit. Kryeministrja italiane nënshkroi në nëntor 2023 një marrëveshje me Tiranën për krijimin e dy qendrave të pritjes së emigrantëve në Shqipëri.

Takimi mes kryeministrit laburist dhe lideres së partisë të djathtë të Italisë Adelphia është planifikuar për mesditën e sotme sipas zyrës së Melonit.

Pak orë para këtij takimi, qeveria britanike njoftoi krijimin e një agjencie të re përgjegjëse për sigurinë kufitare, Komanda e Sigurisë Kufitare, një nga angazhimet parazgjedhore të Starmer.

“Kjo qeveri do të trajtojë bandat e trafikantëve që tregtojnë jetët e burrave, grave dhe fëmijëve”, tha kryeministri britanik, duke premtuar “një epokë të re të zbatimit ndërkombëtar për të çmontuar këto rrjete, për të mbrojtur brigjet dhe për të rivendosur rendin në sistemin e azilit”.

Ndërkohë në Kanalin anglez, emigrantët vazhdojnë të përpiqen të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm nga Franca në Britani, me një tragjedi pas tjetrës: natën e së shtunës, tetë emigrantë humbën jetën kur u fundos në brigjet franceze anija në të cilën ndodheshin.

Që nga fillimi i vitit 46 persona janë mbytur në përpjekje për të bërë këtë kalim të rrezikshëm.

Rreth 800 njerëz kaluan Kanalin të shtunën, numri i dytë më i lartë që nga fillimi i vitit, sipas Zyrës së Brendshme të Britanisë. /vizionplus.tv

Read Entire Article