Klaus Gjasula dhuroi emocione të shumta për të gjithë shqiptarët, kur në minutat e fundit shënoi golin e barazimit ndaj Kroacisë, që i dha një pikë Shqipërisë dhe shpresën për të vazhduar më tej në Europian.
Vëllai i tij, Jurgen Gjasula, i cili gjithashtu ka kontribut me fanellën e kombëtares, ka treguar emocionet që tifozët po përjetojnë pak para ndeshjes së sotme me Spanjën.
Inë një lidhje “Skype” për emisionin “Vizioni i Pasdites”, ai tha se tifozët shqiptarë kanë lënë një përshtypje shumë të mirë në Gjermani.
“Tifozët më të mirë në botë na kanë kënaqur jo vetëm çunat në fushëm, por edhe tifozët kanë bërë një përshtypje shumë të mirë. Emocionet janë shumë të larta, nga ajo ndeshja tjetër u qetësova pak, gëzimi është shumë i lartë, mezi po presim të shkojmë në stadium dhe t’i mbështesim çunat. Shpresojmë shumë për një rezultat pozitiv”, teksa komentoi edhe sfidën e sotme me Spanjën.
“Besoj që çdo njeri që sheh futboll e di që do jetë një ndeshje shumë e vështirë, por shpresën e kemi. Shpresoj që çunat e kanë vetëbesimin, e rëndësishme është të japim gjithçka, të luajmë me zemër, edhe me ndihmë nga Zoti mund të marrim një rezultat pozitiv.
Ndeshja e parë ishte pak më e vështirë, për shumë çuna kishte emocione sepse ishte ndeshja e parë. Ndeshjen e dytë ishim shumë më mirë, kishim më shumë vetëbesim. Prandaj shpresoj që ndeshja e tretë do jetë edhe më e mirë. Duhet të kemi besim”, tha Jurgeni.
Ish-futbollisti tregoi edhe emocionet që përjetoi në ndeshjen ndaj Kroacisë, teksa rrëfeu edhe bisedën me të vëllanë pas barazimit.
“Unë normalisht, nuk jam një njeri që tregoj shumë emocione, por aty nuk e mbaja dot më, kisha shumë gëzim. Isha shumë krenar për Klausin dhe çunat e tjerë që morën një pikë me një ekip shumë të fortë.
Ai nuk e kishte kuptuar akoma mbas ndeshjes çfarë kishte ndodhur, ishte akoma me emocione, kur u kthyem në hotel filloi ta kuptonte. Edhe ai ishte shumë i kënaqur, ka luftuar gjithë jetën për këtë gjë”, u shpreh ai.
“Çunat janë profesionistë. Atra e dinë që po nuk morëm sonte rezultat, nuk na ndihmon. Dje isha te hoteli dhe e pashë që ishin shumë të fokusuar dhe mezi po presin ndeshjen dhe shpresojmë shumë në rezultat të bukur”, tha Gjasula. /vizionplus.tv