Të rinjtë zgjedhin teknologjinë, Veliaj merr pjesë në diplomimin e studentëve në shkenca kompjuterike

9 months ago 25

Në dallim nga dhjetë vjet më parë, kur fasoneria zinte një vend të rëndësishëm në ekonominë e Tiranës, sot janë teknologjia dhe inovacioni, krahas turizmit, fushat që po rrisin ekonominë e qytetit. Kështu ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj në ceremoninë e diplomimit të studentëve të shkollës së shkencave kompjuterike.

“Në vitin 2015 bëmë një analizë se çfarë prodhonte Tirana. Rezultoi se 25% e produktit ishte tekstili, 25% këpucët dhe pjesa tjetër futej turizmi, IT-ja, pak përpunime ushqimore, etj. Kur e përsëritëm skanerin përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar, pamë se qyteti ishte transformuar totalisht. Sot 25% e asaj që prodhon qyteti i Tiranës është teknologjia e informacionit, të ardhura që vijnë nga punët dixhitale, dhe 25% janë të ardhura që vijnë nga turizmi. Kush jetoi në Tiranë vitin e kaluar pa se çfarë kontributi pati turizmi dhe se sa shumë turistë kishte në qytet. Kjo do të thotë se është e mundur – jo brenda një gjenerate, jo brenda një shekulli, madje as brenda një dekade, por në pak vite, – me vullnet dhe me operatorë të tillë si ‘Holberton School’, dhe shumë të tjerë që janë shtuar këtij ekostistemi, ta ndryshojmë qytetin”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se sot Tirana ka një komunitet të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit, teksa bëri edhe një krahasim me përplasjet politike në Kuvend.

“Ky është një nga komunitetet më të forta që unë njoh në Tiranë. Një komunitet pozitiv, jo cinik; një komunitet punëtor, jo përtac; një komunitet i veprave, jo i logjeve; një komunitet që i shikon të tjerët si bashkëpunëtorë, jo si rivalë; një komunitet që tek ai që fillon një startup, shikon një mundësi për ta bërë tjetrin me krahë, jo për t’i prerë krahët e për t’i prerë hovin. Me gjithë respektin për Parlamentin Shqiptar, pa i hyrë fare politikës, po shikoja se si i shqyhej mikrofoni një gruaje, brenda së njëjtës parti politike, dhe ti kupton sa duhet çmuar ai komunitet që ka vlerat e respektit, dashurisë, të inkurajimit të tjetrit, të trajtimit të suksesit të tjetrit si suksesi yt dhe të sfidës së tjetrit si sfida jote”, tha kryebashkiaku.

Kryebashkiaku vlerësoi diplomimin e 31 të rinjve dhe të rejave si mundësi që i shtohen kryeqytetit për të krijuar biznese./vizionplus.tv

Read Entire Article