Menjëherë pasi Donald Trump shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane nuk vonuan urimet nga përfaqësuesit e lartë të politikës shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ka uruar Donald Trump, në platformën X, duke theksuar se pret të punoj me presidentin e 47 të Amerikës, për të përmirësuar partneritetin mes dy vendeve.
“Ishte një nder i vërtetë të punoja përkrah Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan kryeministri Rama.
Edhe Presidenti Bajram Begaj ka zgjedhur të uroj presidentin Trump nëpërmjet platformës X.
“Urime për fitoren në zgjedhje, Donald Trump! Shqipëria vlerëson miqësinë tonë të gjatë dhe partneritetin strategjik, dhe unë pres që ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim të ngushtë”, uroi Presidenti Begaj.
Urimi për presidentin Trump nuk mungoi as nga lideri i opozitës Sali Berisha
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të Presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera”, u shpreh Berisha.
Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pasi mundi rivalen e tij demokrate Kamala Harris. /vizionplus.tv