Punimet në 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës të krijojnë idenë se afati i përfundimit të saj në fund të vitit, duket i paarritshëm. Ky shqetësim duket se është përcjellë edhe nga deputët e qarkut.
Por ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku duke raportuar në komision për buxhetin, kishte një përgjigje për skeptikët.
“Ky vit është shumë i rëndësishëm për kryeqytetin, pasi do të shfryjë shumë trafikun. E di duket sikur ka shumë punë madje dhe deputetët e qarkut ma thonë këtë, por ju sigurojë në 31 dhjetor unaza e Tiranës do të jetë e qarkullueshme. Madje mendojmë se do të jetë edhe më herët. Ndërkohë punimet për vitin që vjen do të fokusohen në aspektet estetike”, tha Belinda Balluku
Paralelisht me këtë projekt të rëndësishëm, një tjetër investim ka mbetur pezull. Është fjala për Bypassin e Tiranës, Kashar-Mullet rreth 22 km i gjatë, një projekt që financohet nga Bashkimi Europian. Por pse ky investim është kaq i vonuar?
“Unë e kam ngritur si shqetësim edhe në Delegacioni Europian. Procedurat dhe afatet që kërkohen për projektet për miratim nga BE na bën që ne të na ndryshojnë termat dhe çmimet e kontratës. Në rastin konkrete kemi një rritje të çmimeve me 30% nga afati kur miratuam këtë projekt, por që financimet nuk po bëhen efektive dhe këtë e shoh si shqetësuese”, shtoi ministrja.
Duke mbetur tek infrastruktura rrugore që prek kryeqytetin, ministrja njoftoi se këtë muaj do të lidhet kontrata për koncesionin Kashar-Lekaj, një segment që do të lidhet me atë të përfunduar tashmë Milot-Kashar . Investimi do të ndikojë në shfryrjen e trafikut në autostradës Tiranë-Durrës. /vizionplus.tv