Viktima e shpërthimit të së hënës në Sarandë është biznesmeni Armandi Nelaj, 52 vjeç.
Nelaj ishte biznesmen prej 13 vitesh në këtë qytet dhe zotëronte një kompani të mjeteve të rënda të ndërtimit.
Lexo edhe :
Related Posts
Policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar për arsyen e shpërthimit, pasi pritet akti i ekspertimit.
Ndërkohë ngjarja po hetohet në dy pista, ajo e shpërthimit të bombolës së oksigjenit teksa 52-vjeçari po zhytej në det, por nuk përjashtohet mundësia që t’i jetë bërë atentat me tritol.
Këto dyshime të fundit lindën pasi gjatë kontrollit në ujëra nga polumbarët u gjetën copëza metalike që mendohet se i përkasin mjetit ku ishte Armandi Nelaj.
Biznesmeni Nelaj është përmendur më herët edhe për një aferë për tjetërsimin e një prone publike, lulishte në qendër të qytetit të Sarandës.
Ndërkohë e gjithë ngjarja është e mbuluar me mister edhe për shkak të kohës kur ndodhi, pikërisht në orën 22:00 kur gjithë vëmendja ishte në përballjen Shqipëri-Spanjë.
Viktima u gjet nga dy shtetas të huaj, të cilët udhëtonin me një gomone drejt skafit të tyre. Këta dy persona e kanë nxjerrë menjëherë nga uji dhe e kanë transportuar drejt portit të Sarandës, ku më pas është marrë nga ambulanca për ta dërguar në spital.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, biznesmeni nuk ka arritur të mbijetojë.
Identifikimi i tij është arritur të bëhet vetëm pas alarmit të familjarëve në polici, të cilët kishin humbur kontaktet me të. Pas denoncimit, familjarët kanë identifikuar 52-vjeçarin prej një tatuazhi që kishte në krahun e majtë./vizionplus.tv