Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë ditën e sotme në Shkodër, ku bashkë me organet vendore është bërë një analizë e punës vjetore të policisë.
Balla tha se Shkodra ka disa problematika, megjithatë ka mbaruar koha kur ky qytet ishte në dorën e të fortëve.
“Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me policinë, kontrolli i territorit dhe lufta ndaj fenomeve që lidhen me informalitetin dhe krimin. Nga 300 000 lëndë narkotike të asgjësuara , 200 000 janë nga Shkodra. Ka moszbulim krimesh. 247 persona në kërkim vijojnë të shihen në Shkodër”, tha Balla.
“Ka mbaruar koha që Shkodra kishte histori të fortësh, nuk ka më lagje ku policia nuk mund të hyjë dhe nuk mund të ushtronin funksionon e tyre. Misioni ynë është marrja fund e bajraqeve, feudeve në Shkodër”, shtoi ministri.
Ai u ndal edhe te Liqeni i Shkodrës, për të cilin tha se nuk duhet të përdoret për peshkim të paligjshëm, por vetëm në funksion të turizmit.
Ndërkohë, i pyetur më tej se pse policia ka dështuar deri tani në lidhje me personat e shpallur në kërkim, Balla tha se do të zbardhen edhe ngjarjet e shumë viteve më parë, teksa shtoi se procesi i Vettingut në polici po jep rezultate.
“Çështja e personave në kërkim është sfidë dhe në Bashkimin European. Po punojmë dhe kemi rezultat të mirë dhe nga DVP Shkodër.
Për kanabisin policia ka patur rezultate të shkëlqyera, nuk mjaftohemi vetëm me zbulimin e parcelës por kush është grupi prapa tyre. Ne nuk do merremi vetëm me ngjarjet e 2023, por me ngajrjet që nga 1992 pasi këto ngjarje të pazbuluara janë burim për ngjarje të reja.
Procesi i vetingut në polici po ecën dhe po jep rezultate. Procesin nuk mund ta komentoj pasi është institucion i pavarur”, tha Balla. /vizionplus.tv