Ekipi që po punon për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ka hedhur themelet e godinës e cila do të jetë ikona e artit skenik shqiptar.
Gjatë inspektimit në kantier, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh entuziast për ritmin e punimeve dhe informoi se aktualisht po punohet për katin -1 të parkingut nëntokësor.
Ai tha se në fund të verës do të nisë puna në sipërfaqe, për ngritjen e godinës që pritet të përfundojë në dy vitet e ardhshme.
“Sot quajmë zyrtarisht hedhjen e themeleve të Teatrit me sistemin e diafragmës. Pastaj, duke përdorur hyrjen nga ish-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, do të bëjmë evadimin e inerteve deri në pranverë, që në fund të verës të kemi mundësi të dalim mbi sipërfaqe. Do të shfrytëzojmë vjeshtën dhe dimrin e këtij viti, plus gjithë vitin tjetër, që të mbarojmë karabinanë e godinës. Më pas do të kujdesemi më shumë për foninë, akustikën, skenën, prapaskenën, nënskenën, mbiskenën, dhe të gjitha mjetet e nevojshme teknike për të pasur vërtetë një kryevepër”, shpjegoi Veliaj.
Ai nënvizoi se gjatë punimeve për hapjen e themeleve, ekipi ka konstatuar se teatri i vjetër nuk kishte themele.
“Ky është një vend ku, siç zbuluam në punë e sipër, teatri i vjetër nuk kishte as themele. Fakti se kemi zbuluar edhe tunele nëntokësore dhe pika lidhëse, që në kohën e komunizmit kanë pasur ato nënkalimet e Tiranës paranojake të atyre viteve, dhe fakti se nuk gjetëm themele, do të thotë se ai teatër ishte vërtet një pikë rreziku”, u shpreh ai.
Veliaj tha se viti 2025, kur Tirana do të jetë “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës”, do ta gjejë kryeqytetin shqiptar me një teatër të ri të përfunduar nga ana e infrastrukturës.
“Shumë qytetarë mezi presin të shohin binanë e madhe. Në fakt, puna më delikate, më e vështirë, por edhe më qëndrueshme – me Eurocod 8 që punojmë ne, sidomos me kodet e reja pas tërmetit – është pjesa e nëntokës. Në momentin që mbarojmë me këtë saktësi punimet e nëntokës, e kemi shumë më kollaj të ecim më pas me punën mbi tokë. Ne duhet të synojmë që vitin tjetër ta kemi mbyllur pjesën e infrastruktrës së teatrit. Pastaj, të kujdesemi vetëm për pjesën e pajisjeve, që në kohë rekord, sidomos në vitin 2025, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, të kemi finalizimin e kësaj kryevepre”, shtoi ai./vizionplus.tv