Vinte nga Italia në Durrës, veliera alarmon autoritetet, policia gjen armë dhe municion, mister fati i gjermanit

2 months ago 25

Një veliere pa drejtues është gjetur nga policia kufitare në bregdetin shqiptar.

Gjatë kontrollit në veliere u gjetën pistoletë dhe armë të tjera luftarake si dhe një pasaportë, e cila dyshohet se mund t’i përkasë drejtuesit të mjetit.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesi mund të ketë rënë në det për shkak të dallgëve të larta.

Njoftimi:

Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, kanë konstatuar një mjet lundrues veliere që bënte lëvizje të pakontrolluara, i cili më pas ka ngecur në rërë disa metra larg nga bregu, në territorin e fshatit Karpen.

Pas këqyrjes paraprake, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Spille kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në bordin e mjetit lundrues. 

Gjatë kontrollit në veliere, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Ëalther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.     

Gjithashtu, në mjetin lundrues, është gjetur një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta.    

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Read Entire Article