Një 33-vjeçare është arrestuar nga policia në Durrës paraditen e kësaj të diele.
E reja ka shfrytëzuar punën si sanitare në një shtëpi në qytetin bregdetar për të grabitur sende me vlerë, para dhe bizhuteri.
33-vjeçarja ka bashkëpunuar me 2 shtetas të tjerë, të cilët ishin vëllezër me njëri-tjetrin për të vjedhur në banesë.
Ajo u kishte siguruar atyre kopje të çelësit të shtëpisë.
Sipas njoftimit zyrtar, policia ka arrestuar njërin nga vëllezërit, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Njoftimi i Plotë:
Strukturat Hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së kallzimit nga shtetasi Sh. Gj., 59 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës, se në banesë i kishin vjedhur pa thyerje dyshohet nëpërmjet çelësit të derës, një shumë parash dhe bizhuterisht, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.
Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në bashkëpunim me Prokurorinë është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, mekanizmi i vjedhjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve në kuadër të operacionit policor të koduar “Kopja” është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
F.H., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës dhe E.K, 33 vjeçe, banuese në lagjen nr. 11, Durrës.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. H., 36 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës, ku vijon puna për kapjen e tij.
Nga veprimet profesionale hetimore disa ditore, bazuar dhe në inteligjencën policore, kqyerjen e kamerave dhe veprimeve të tjera proaktive, dyshohet se shtetasja E. K., duke qenë se punonte si sanitare në banesën e shtetasit Sh.Gj, ka siguruar kopje të çelsit të banesës dhe ua ka dhënë vëllezërve E. H dhe A. H., si dhe i ka informuar për mos prezencën e familjarëve në banesë.
Në cilësinë e provës materiale Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F.H, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se e kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Juridiksionin e Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. /vizionplus.tv