Votohet në luginën e Preshevës, pritet zgjedhja e kryetarëve të rinj të komunave

3 months ago 29
Reklamë

Nga ora 7 e mëngjesit të kësaj të diele në Luginën e Preshevës dhe Bujanocit po zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të këtyre komunave.

Në Presheve kanë të drejtë vote rreth 43.500 qytetarë, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre në 37 qendra votimi për 39 mandate. Sakaq në Bujanoc janë rreth 43.046 votues.

Në të dyja komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës

Në Preshevë janë në garë 6 subjekte shqiptare dhe 1 nga pakica serbe. Ndërkaq në Bujanoc po garojnë 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.

Në Preshevë nuk ka rrezik të marrjes së pushtetit nga serbet, ndërsa Bujanoci e ka të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptar dhe daljen sa më të madhe të shqiptarëve në votime.

Për këtë qëllim, 3 nga 4 subjekte politike shqiptare: Partia për Veprim Demokratik që udhëhiqet nga Shaip Kamberi, Partia Demokratike që udhëhiqet nga Nagip Arifi dhe Lëvizja e Progresit Demokratik me kryetar Shqiprim Musliun, kanë nënshkruar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor sipas të cilës, subjekti që merr më shumë mandate do të udhëheqë komunën e Bujanocit dhe për këtë do të ketë garanci votat e këshilltarëve të subjekteve që marrin më pak mandate.

Por në këtë koalicion parazgjedhor nuk është përfshirë subjekti tjetër shqiptar “Alternativa për ndryshim” që drejtohet nga Arbër Pajaziti./vizionplus.tv/

Read Entire Article