Vrau të afërmin për qiranë e shtëpisë, Gjykata e Shkodrës dënon me 22 vite burg Lek Vuksanin

5 months ago 23
Reklamë

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dënuar me 22 vite burg Lek Vuksanin autorin e vrasjes së Petrit Vuksanit, ngjarje e cila ndodhi në 2 Maj të 2023-it në kryeqëndrën e veriut.

Gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvataja, raporton se organi i akuzës paraqiti prova përpara togave të zeza, që e implikojnë 34 vjecarin në krimin e ndodhur në lagjen Tom Kola. Iu desh afro 1 vit punë intensive hetimore, prokurorisë së Shkodrës që të mbyllte këtë dosje, ku dokumentohet edhe krimi në fjalë.

Sipas dosjes hetimore, 51 vjecari Petrit Vuksani i cili ishte emigrant në Angli ia kishte lënë banesën e tij shtetasit Lek Vuksani kundrejt një pagesë mujore.

Pak javë para se të ndodhte krimi mes autorit dhe viktimes ka pasur një debat për shkak se ky i fundit nuk kishte paguar detyrimet, si dhe faturat e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

Në të tilla kushte thotë akuza Petriti është kthyer nga Anglia ku i ka kërkuar Lekës lirimin e banesës. Mes palëve ka patur një debat të gjatë, që ka përfunduar deri në konfliktin ku është përdorur arma e zjarrit. Lek Vuksani ka marrë një armë zjarri kallashnikov duke hapur zjarr mbi 51 vjecarin dhe për pasojë ai ka gjetur vdekjen.

Pasi ka kryer krimin autori është larguar së bashku me armën zjarrit duke u futur brenda një banesë për t’iu fshehur policisë. Pas verifikimeve policia zbuloi vendodhjen duke kryer arrestimin e tij 21 orë pas ngjarjes. Për autorin e kësaj vrasje pala mbrojtëse kërkoi vlerësim psikologjik, por një gje e tillë është refuzuar nga gjykata./vizionplus.tv.

Read Entire Article