Zbulohet data, ja kur do të jetë takimi i Kurtit me Vuçiç

4 months ago 18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Radio Evropa e Lirë bën me dije se takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano si dhe nga Qeveria e Kosovës.

Nga Zyra e kryeministrit Kurti thanë shkurt për Radion Evropa e Lirë se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj “dhe rruga përpara”.

Por, nga blloku evropian ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiç.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi gjatë kësaj jave.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiç u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Takimi i ri Kurti-Vuçiç do të mbahet në kohën kur zyrtarëve evropianë iu skadon mandati, pasi ata kanë kaluar gati pesë vjet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Josep Borrell do të shërbejë si kreu i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë. Javën e ardhshme do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i tij në këtë post. Ndërkaq, Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet një zëvendësues. /vizionplus.tv

Read Entire Article