Zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare tashmë pjesë e diskutimeve të partive politike në Kosovë

5 months ago 17

Nisma e Partisë Demokratike pasoi një takim javën e kaluar ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas atij takimi se është i gatshëm të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare.

Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në pushtet Mimoza Kusari Lila tha sot se subjekti i saj është i gatshëm të mbështesë shpërbërjen e parlamentit në rast se mbështetet nga të gjitha partitë opozitare.

“Megjithatë nuk mund ta bëjmë këtë vetëm me një grup parlamentar të opozitës. Opozita duhet të jetë e unifikuar në kërkesën e saj, në fund të fundit opozita është ajo që kërkon zgjedhje ose ndryshim të qeverisjes ndërsa konsiderojmë që kjo qeveri i ka plotësuar të gjitha kushtet për një mandat të plotë dhe të rregullt”, tha zonja Kusari Lila.

Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025.

Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si kusht për shpërndarjen e parlamentit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha sot se shpërndarja e parlamentit në këtë fazë nënkupton një rrugëdalje për qeverinë e Albin Kurti.

“Njëfarë forme marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimin e qeverisë. Pra shpërbërja duhet të vjen vetëm atëherë kur arrijmë ta shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur dorëhiqet dhe me një deklaratë apo me gojë që do të tërhiqet por jo në asnjë situatë që Kuvendi i Kosovës të marrë një përgjegjësi që nuk i takon”, tha shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Por, dorëheqja, thonë vëzhguesit, nuk nënkupton me automatizëm zgjedhje të reja sepse pa një marrëveshje paraprake presidentja e vendit do të detyrohej t’i jepte një mundësi të re partisë në pushtet për formimin e një qeverie të re.

Sidoqoftë, zgjedhjet e reja tashmë janë bërë pjesë e diskutimeve dhe shumë analistë të pavarur pohojnë se ato do të mbahen në fillim të verës apo në vjeshtë, por para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Partia Demokratike tha të hënën se dështimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë janë një argument shtesë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Kosova nuk u vu javën e kaluar në rend të ditës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi një pjesë e vendeve anëtare ritheksuan se kusht për përparimin e Kosovës është hedhja e hapave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./VOA

Read Entire Article