Dosja që SPAK i ka dorëzuar Gjykatës Antikorrupsion lidhur me hetimin e ndarë për ish- nr 2 të qeverisë, Arben Ahmetaj ekspozon afrimitetin e këtij të fundit me Mirel Mërtirin, bosin e inceneratorëve.
Në tre muaj rresht ata kanë pasur plot 138 komunikime telefonike, krahas mesazheve të vazhdueshme mes tyre, ku del në pah qartë gjuha shoqërore me të cilën ata i drejtohen njëri tjetrin. Në dëshminë që ish- zv. kryeministri ka dhënë me 22 qershor të vitit të kaluar e mohon kategorikisht diçka të tillë, por pikërisht celulari i tij “Blackberry” i sekuestruar, ka tradhëtuar Ahmetajn.
Arben Ahmetaj: Me shtetasin Mirel Mërtiri, nuk më kujtohet saktësisht, ndoshta edhe mund të ketë qenë ndonjë komunikim telefonik, por jo komunikime telefonike frekuente. Mund të ketë qenë ndonjë komunikim rastësor.
Një tjetër moment në dosje është edhe takimi që ish- numri dy i qeverisë i rregullon Mirel Mërtirit me kryetarin e bashkisë së Fierit, asokohe, Baftjar Zeqaj.
Mirel Mërtiri: Baftjari është në Tiranë. Sapo më thanë. Të lutem është shumë e rëndësishme mos bën ndonjë muhabet pa lidhje në Ministri të Transporteve.
Por, në deklarimet që vetë ish- kryetari i bashkisë së Fierit ka bërë e ka mohuar një takim mes tyre.
Baftjar Zeqaj: Në mesazhin e datës 13. 09.2012, ku Arben Ahmetaj më ka kërkuar të ulem në kafe me të dhe Klodian Mërtirin, unë nuk mbaj mend të jem ulur. Po ashtu i pytur në lidhje me faktin se sipas komunikimeve të datës 15.09.2012 parimisht, kemi rënë dakord për tu ulur në kafe, me Arben Ahmetaj dhe Klodian Mërtiri, e më pas në orën 12:00 shtetasi Arben Ahmetaj dërgon një mesazxh me përmbajtje “të falenderoj shumë”, përgjigjet se… “Nuk e di fare nuk e bëj dot lidhjen.”
Tashmë mbetet që gjykata të dalë me një vendim, nëse dosjen që SPAK ka dorëzuar ta kalojë apo jo për gjykim./vizionplus.tv