“20 ditë në Mariupol”: Tragjedia e luftës ruse në Ukrainë mbërrin në skenën e çmimeve “Oscar”

9 months ago 27

20 ditë të shtetrrethimit të qytetit ukrainas Mariupol të filmuara nga gazetari Mstyslav Chernov janë copëza të një maratone 20 ditëshe për t’i shpëtuar vdekjes, të çmimit të luftës për njerëzit e thjeshtë, të zënë befas nga një luftë e papritur dhe për ta e pakuptimtë.

“Lufta asnjëherë nuk fillon me shpërthime. Lufta fillon me heshtje,” thotë Chernov në hyrje të dokumentarit “20 ditë në Mariupol”, që përmbledh fillimin e sulmit rus ndaj këtij qyteti, port i rëndësishëm dhe qendër industriale ukrainase, 50 kilometra në lindje të Rusisë, pikë strategjike që lidh Ukrainën me Krimenë e pushtuar nga rusët.

Heshtja që i paraprin shkurtit të vitit 2022 në Mariupol është e shkurtër. Ajo thyhet nga 190,000 trupa ruse që godasin qytet pas qyteti në Ukrainë dhe nga aeroplanë luftarakë që shpojnë qiellin mbi Mariupol duke sulmuar parqet, spitalet, shkollat. Njerëzit enden të tmerruar dhe me dëshpërim pyesin “përse”.

Dokumentari është një rrëfim tronditës që ka prekur majat e festivaleve botërore. Më 10 mars, rrugëtimi i tij një vjeçar do të kulmojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve prestigjioze Oscar, i emëruar nga Akademia e Arteve amerikane në kategorinë e dokumentarit më të mirë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori Chernov, që ishte pjesë e ekipit të vetëm të gazetarëve të mediave të huaja në Mariupol gjatë shtetrrethimit, ende e ka të pabesueshme që si dëshmitar i një tragjedie të tillë, jetoi për të treguar për njerëzit e thjeshtë që një ditë humbën çdo gjë.

Çdo hap në këtë rrugëtim ishte një mrekulli. Fakti që mbijetuam dhe filmuam tërë atë që ndodhi në qytet, që ishim gazetarët e vetëm aty dhe që po dërgonim pamje nga qyteti ishte mrekulli. Fakti që arritëm të depërtojmë shtetrrethimin dhe t’i nxirrnim filmimet origjinale nga atje, ishte me të vërtetë një mrekulli. Rreth 30 orë xhirime, shumica e të cilave nuk ishin shfaqur dhe fakti që arritëm të bëjmë dokumetarin, janë gjithashtu një mrekulli. Secili hap është një e papritur. Nuk e dija se si publiku do ta priste filmin sepse është nganjëherë emocionalisht shumë i vështirë. Por publiku jo vetëm që e kuptoi rëndësinë e tij, por vazhdoi të ndajë mendime për të, vazhdoi të angazhohet pasi e pa. Morëm aq shumë vlerësime, mirënjohje… por të gjithat janë mirënjohje për njerëzit e Mariupolit, ata që mbijetuan dhe ata që nuk mbijetuan.

Përmes gazetarit Chernov, i cili bashkë me kolegët e tij nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve The Associated Press fituan çmimin prestigjioz të gazetarisë Pulitzer, shikuesi sheh nga afër luftën e Presidentit rus Vladimir Putin. Filmi dokumenton se si shtangia dhe paniku shpejt zëvendësohen me radhë të gjata të plagosurish në spitalet që bombardohen, mjekë që qajnë në pamundësi për të shpëtuar një lumë të pandëprerë të plagosurish dhe prindër që ulërisin pranë shputave pa ngjyrë të fëmijëve të tyre të pajetë.

Bota e ceremonisë së çmimeve Oscar është në kontrast të thellë me atë të përjetimeve të para dy viteve në Mariupol, ku nuk ka pamje të zbukuruara e as të imagjinuara.

Në botën e Mariupolit, jetën dhe vdekjen e ndajnë sekondat. Realiteti shfaqet pa filtra, në britmën e nënës, në vajin e babait që nuk e mbajnë këmbët, në gjakun poshtë shtratit, duart e rënduara të mjekëve që ndihen të pafuqishëm ndërsa përpiqen t’u shpëtojnë jetën të lënduarve apo u duhet t’u mbyllin sytë kur nuk ia arrijnë dot.

Kjo botë shihet tek Irina shtatëzënë, që filmohet teksa po bartej nga spitali i sapobombarduar dhe që më në fund nuk u mbijetoi dot plagëve.

“Jam i rraskapitur shpirtërisht, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Por mendoj se në botën moderne ku po ndodhin shumë zhvillime të rëndësishme dhe tragjike, nuk mund t’i injorojmë ato, pasi po i injoruam, njerëzit që shfrytëzojnë pasivitetin tonë do të vazhdojnë ta shkatërrojnë botën. Është më mirë të jesh i tronditur, se të jesh indiferent në këtë botë. Më mirë të ndjesh dhembje por të veprosh, të bësh diçka në vend që të fshihesh dhe ta injorosh dhembjen… E di që kjo që po bëj i jep pak kuptim. Është zgjedhje e imja. Por për shumicën e njerëzve të Mariupolit, për shembull, kjo nuk ishte zgjedhje e tyre. Vuajtja dhe humbja e tyre nuk ka asnjë kuptim dhe kjo gjë është me të vërtetë shkatërruese, lënduese dhe traumatike. Kur nuk ka një arsye për humbjen e fëmijës apo për humbjen e shtëpisë e qytetit tënd, kur nuk ka as justifikim e as drejtësi, është shumë më traumatike për njerëzit dhe prandaj është përparësi e imja që t’i tregoj rrëfimet e tyre dhe jo rrëfimin tim.”

Por në këtë zymtësi, janë momentet e forcës së njeriut – dhe jetës, që sipas zotit Chernov, të bëjnë të qëndrosh. Për të, ky moment erdhi befas dhe iu ngulit në mendje.

Është pamja e një foshnje që lindi në spitalin që tashmë ishte rrethuar nga forcat ruse dhe bombat po binin përreth spitalit. Nëna e foshnjes ishte plagosur. Mjekët frikësoheshin shumë për foshnjen. Dhe për një kohë, foshnja ishte e heshtur kur lindi, të gjithë menduan se nuk do të mbijetonte. Nuk dinim çfarë të mendonim. Dhe pastaj foshnja filloi të qante dhe të gjithë shpërthyen në lot. E mbaj mend që në atë moment një mjek më tha se njerëzit vetëm vdesin në këtë sallë dhe tani dikush lindi. Ishte një mrekulli, një mrekulli që të mbetet në mendje përjetësisht.”

Pamjet e shkatërrimit masiv të qytetit, që u bë simbol i brutalitetit rus në Ukrainë, ku bodrumet e ndërtesave nga strehimoret brenda ditësh shndërrohen në morgje, ndërthuren bashkë në një rrëfim të zymtë për koston e luftës, një paralajmërim për qëllimet dhe pasojat që do t’i vuanin ukrainasit dhe për një luftë që do ta rikthente vuajtjen e papërjetuar që një çerek shekulli në Evropë dhe pasigurinë kolektive pas gati një shekulli në këtë kontinent.

“Personalisht, do të doja që filmi të mos ekzistonte kurrë. Por kjo tragjedi ndodhi dhe ne e regjistruam. Dhe jo vetëm sa për të ekzistuar. Por tani që ekziston dhe meqë ekziston, dua të sigurohem që ta shohin sa më shumë njerëz. Secila fitore, secili vlerësim, secila mirënjohje është mënyrë për këtë film që të gjejë publik më të madh dhe për t’u siguruar që Mariupoli nuk është vetëm emër, por që mbetet simbol i secilit qytet të shkatërruar të Ukrainës dhe luftës që po vazhdon dhe tani. Këtë ua kam borxh banorëve të Mariupolit që i humbën të gjitha.”

Dokumentari “20 ditë në Mariupol” shënon herën e parë që një realizim i tillë përfshihet në listën e kandidatëve për Oscar dhe hera e parë në historinë e këtij çmimi prestigjioz që i hapet rrugë raportimit dhe gazetarisë nga një zonë lufte në kohë reale në majat e kinematografisë./voa

Read Entire Article