Më 14 shtator të 1998, Shqipëria, e sapodalë nga trazirat e ‘97, përjetoi një nga ditët më të dhunshme të historisë së saj.
Ceremonia mortore e deputetit të vrarë Azem Hajdari u kthye në një protestë e cila u pasua me sulme ndaj institucioneve më të larta shtetërore.
Ekranet e medias shqiptare dhe asaj të huaj u mbushën me pamje të shkatërrimit që përfshiu Kryeministrinë. Ndërsa ish-kryeministri Nano, i akuzuar në atë kohë nga Berisha për vrasjen e Hajdari ishte larguar nga selia e qeverisë.
Kur kortezhi me arkivolin e Azem Hajdarit i nisur nga sheshi “Skënderbej” mbërriti në bulevardin qendror nisi sulmi ndaj godinës së kryeministrisë.
Më pas, grupet e armatosura vendosën nën kontroll edhe selinë e Kryesisë së Kuvendit, Gjykatën Kushtetuese si edhe Ministrinë e Financave.
Për të rivendosur rendin në vendin, Garda nxori në rrugë tanket dhe autoblindat, por protestuesit përshkallëzuan më tej situatën, duke rrëmbyer 3 tanke dhe një autoblind.
Në dorën e protestuesve të opozitës së drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha, ra edhe televizioni publik, ndërsa kaosi vijoi në kryeqytet deri në orën 16.00, kur më pas forcat e policisë arritën të rikthenin rendin, për t’i dhënë fund protestës së dhunshme 3 orë më vonë.
Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk do të njihte asnjë pushtet që do të dilte nga dhuna./vizionplus.tv