Janë 30 mijë klientë kredimarrës të dy kompanive MCA dhe Final, të cilët janë në pritje të vendimmarrjes se çfarë do të bëhet me ta, në lidhje me detyrimet që ata kanë. Deniz Deralla, drejtor i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë ishte e ftuar në emisionin E-ZONE dhe sqaroi se si do të vijohet më tej më këta klientë
“30 mijë janë klientët e MCA dhe Final. 90 % e tyre kanë një titull ekzekutiv dhe janë në procedurë përmbarimore. Të tjerët janë pjesë e rishikimit nga ana jonë nëse ata ankohen apo bëjnë një kërkesë të tillë. Apeli që vlen është që këta individë të ruajnë mandat-pagesën, pasi mund të jetë e vlefshme në një moment të dytë, nëse do të duan të rishikojnë kushtet e kredisë. Ndërsa ata që kanë një titull ekzekutiv, i sugjerojmë që t’i drejtohen organeve kompetente të drejtësisë, në rast se mendojnë se detyrimet e tyre janë kalkuluar në mënyrë abuzive. Në çdo rast detyrimet do të paguhen rregullisht në llogaritë bankare të këtyre institucioneve”, sqaroi Deralla në E-ZONE.
Por banka qendrore është në negociata me bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që këto kredi të rikthehen në orgjinë.
“Bankat nuk janë të detyruara që t’i rimarrin,. Por mendoj se ato kredi që kanë ecuri pozitive nuk ka arsye pse të mos i pranojnë. Ne jemi duke negociuar me ta. Ndërsa për ato kredi që janë dhënë nga dy kompanitë mbetet për tua parë se si do të shkojnë hetimet dhe vendimet që do të nxjerrë gjykata”, shtoi Deralla.
Banka e Shqipërisë pritet që në bashkëpunim dhe me bankën botërore do të hartojë një rregullore për mbrojtjen e konsumatorëve në këtë treg, ndërsa sugjerohet që ministria e Drejtësisë të shoh kuadrin ligjorë për përmbaruesit.
“Një nga hallkat që ka çaluar në këtë zinxhirë është sekuestrimi i pasurive ndaj debitorëve. Aktualisht nuk ka një kufi deri në çfarë niveli duhet të aplikohet sekuestrimi i pasurive, ndaj një individi që nuk paguan kredinë”, sqaroi Deralla në Vizon Plus.
Skema e mashtrimit më kreditë nga dy institucionet financiare jo banka, i referohen kredive të dhëna 10-15 vite më parë, ndaj dhe rritja e detyrimeve përtej një shume normale, i atribuohet vjetërsisë së tyre duke përfshirë në disa raste dhe abuzimet e kryera./vizionplus.tv