Aleatët tradicionalë të së djathtës bojkotojnë “zgjedhoren”, nuk shfaqin interes për të shprehur propozimet e tyre

7 months ago 24
Reklamë

Ashtu siç ishte parashikur, që prej orës 11:00 është rimbledhur online komisioni i reformës zgjedhore, ku këtë herë po dëgjohen propozimet e partive politike.

Në total kanë qenë 9 parti politike që kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në seancë, ku edhe po shprehin qëndrimet e tyre.

Por në linjë nuk ishin kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka; kryetari i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të cilët e kanë bojkotuar seancën e kësaj të mërkure. I vetmi që ka marrë pjesë nga aleatët tradicional të së djathtës është Dashamir Shehi, i cili propozoi një sistem proporcional për reformën zgjedhore, ndërsa u shpreh pro hapjes së listave deri në fund. Gjatë fjalës së tij nga mbledhja e Reformës Zgjedhore, Shehi tha se është pro votimit dhe numërimit elektronik.

Më herët, komisioni i reformës zgjedhore zhvilloi një seancë me shoqërinë civile, ku u dëgjuan propozimet e tyre për ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Por “revoltë” ka shfaqur së fundmi edhe diaspora. Në një letër drejtuar dy bashkëkryetarëve Enkelejd Alibeajt dhe Damian Gjiknurit, grupi i punës për Votën e Diasporës, Këshilli Koordinues i Diasporës për Shqipërinë e Lirë kanë shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e tyre për mungesën e ftesës për pjesëmarrje në komision.

Ndërkohë, bashkëkryetari Gjiknuri, i pyetur nga gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema, ka thënë se për diasporën do të ketë një seancë të posaçme në komision, ku edhe pritet që të diskutohet një nga çështjet më të “nxehta” ajo e të drejtës së votës së tyre./vizionplus.tv

Read Entire Article