Amerikani që “vdes” për groshë, erdhi si turist dhe u magjeps nga Shqipëria

8 months ago 28

Erdhi në Shqipëri për ta vizituar, por vendi ynë e surprizoi dhe vendosi të qëndronte më gjatë. Kjo është historia e amerikanit Taylor Thomas, i cili ka rrëfyer aventurën e tij në “Vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti.

“Erdha si turist, por kisha dëgjuar për Shqipërinë gjatë udhëtimeve të mia në Evropë. Kuptova që ka një kulturë shumë interesante, njerëzit janë shumë miqësore, ushqimi është fantastik. Sa më shumë që mësoj, aq më shumë e dua këtë vend. Kam më shumë se një muaj e gjysmë që rri këtu. Kam qenë në Durrës, por gjithsesi Tirana më pëlqen më shumë. Dua shumë të shkoj në Vlorë, Sarandë dhe në Berat”, tha ai.

Tregon se kur ishte në Amerikë ka bërë kërkime për qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe vendoi se Tirana do të ishte qyteti ku do të qëndronte.

“Mu deshën disa muaj planifikime para se të vija këtu. Mendoj se do të rri 2-3 muaj. Mendoj se kam kohë për të vizituar qytete të ndryshme”, shtoi Thomas.

Mendon të kthehet në Shqipëri sepse dëshiron të shijojë qytetet shqiptare në verë.

“Të paktën të shijoj dy javë verë këtu në Shqipëri. Kam qenë dhe në vende të tjera të Evropës juglindore, por një gjë që më pëlqen shumë është mëngjesi. Është shumë bukur të shikosh shqiptarë në mëngjes kur shijojnë kafenë, pinë një cigare. Më pëlqen shumë ta nis ditën ashtu. Është shumë bukur të jesh pjesë e kësaj dhe ta përjetosh këtë pjesë të kulturës”, tha Thomas.

Tregon se i pëlqen kuzhina shqiptare, për të cilën thotë se nuk duhet të ndryshojë kurrë.

“Mendoj se duhet ta ruani origjinalitetin, sepse njerëzit i duan traditat. Mendoj se duhet shijuar më shumë dita, sepse në botën perëndimore ne harrohemi, fiksohemi për të fituar para. Mendoj se atje do të çoja socializimin, gjetjen e kohës për familjarët dhe miqtë. Mëngjesi këtu është i paqtë, shoqërohet me të qeshura. Këtë do ta çoja në vendindjen time”, tha Thomas.

Ushqimi i tij i preferuar janë fasulet pllaqi.

“Më pëlqen pafund ky gatim. Janë groshët e bëra në tavë balte dhe sa herë shkoj në restorant e porosis. Më duket shumë e thjeshtë, por shumë e shijshme. E kam provuar një herë rakinë, ma bënë dhuratë. Ishte e mirë, por shumë e fortë”, tha Thomas.

Gjithashtu thotë se ka miq nga Shqipëria, të cilët i ka njohur këtu. Shqiptarët i cilëson si njerëz shumë të sjellshëm dhe thotë se ende nuk e ka menduar të qëndrojë gjatë, por ekziston si mundësi./vizionplus.tv

Read Entire Article