Policia ka sekuestruar bimë të dyshuara narkotike kanabis, sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike gjatë kontrolleve në fshatin Shesh.
Po ashtu është arrestuar një shtetas si autor i kultivimit të bimëve dhe posedues i sendeve të jashtligjshme, procedohet penalisht një tjetër për shpërdorim detyre.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 gjatë kontrolleve intensive në terren, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në fshatin Shesh, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin mbjellë 48 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Pas konstatimit të këtyre bimëve shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë angazhuar maskimalisht dhe kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Pas një pune të mirefilltë hetimore dhe profesionale, bazuar në inteligjencën informative është bërë identifikimi dhe arrestimi i shtetasit R. R., 28 vjeç, banues në Pezë Helmës, i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, parashikuar nga nenet 278/4, 279, 280 dhe 284 të Kodit Penal.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. L., ndërlidhës me komunitetin në fshatin Shesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. R., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale sasi lënde plasëse e dyshuar tritol me fitil përcjellës dhe kapsollë, 6 ndezës unifikues granatash, 1 kapsollë detonatore, 1 armë gjahu pa lejen e organeve kompetente, 2 qyta arme, 3 krëhëra automatiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë metalike”, njofton policia. /vizionplus.tv