Balluku: Energjia elektrike përdoret si “armë lufte”, Shqipëria po ndërton qëndrueshmëri kibernetike kombëtare

1 month ago 23

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka vënë theksin tek përdorimi i energjisë elektrike si një “armë politike” duke iu referuar situatës gjeopolitike dhe luftrave në vende të ndryshme të botës.

Në fjalën e saj në hapjen e punimeve të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Sigurinë Industriale, Balluku theksoi se siguria energjitike është një çështje prioritarë drejt së cilës po punohet vazhdimisht.

“Ngjarje të mëdha me impakt për shoqërinë njerëzore, siç është rasti i pandemisë, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, situata e sigurisë në Lindjen e Mesme, por dhe zhvillimet në rajonin e Indo-Paqësorit, të gjitha këto kanë kombinuar në një mënyrë të tillë me konkurrencën në rritje për burimet e energjisë dhe unë përveç pozicionit tim si Zëvendëskryeministre në të cilën po adresoj sot, jam dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndaj çështjen e sigurisë energjetike e kam një nga pjesët më të rëndësishme të portofolit tim dhe e di sesi po përdoret sot si një nga armët virtuale më të rrezikshme për të cenuar sovranitete apo edhe lirinë e vendeve të ndryshme. Ndaj të gjitha këto së bashku kanë shtuar kompleksitetin dhe kanë krijuar një peizazh të jashtëzakonshëm të sigurisë globale”, tha ajo.

Krahas energjisë elektrike, Balluku nënvizoi edhe sulmet kibernetike të cilat testojnë vazhdimisht sigurinë.

“Njëkohësisht, aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë, po përdorin gjithnjë e më shumë operacione hibride dhe influencë dashakeqe për të projektuar fuqinë dhe për të minuar rendin global. Këto rreziqe tradicionale, por dhe të pazakonta bashkëjetojnë, duke prodhuar një mjedis në të cilin siguria po testohet në mënyrë që nuk e kemi parë më parë. Teksa shqyrtojmë këto situata globale, është thelbësore të nënvizojmë rrezikun e shtuar që paraqesin sulmet hibride dhe kibernetike. Këto nuk janë më rreziqe hipotetike apo të izoluara. Luftërat e sotme zhvillohen jo vetëm në fushëbetejë me armë konvencionale, por dhe në hapësirën kibernetike, ku infrastruktura kritike, linjat e furnizimit dhe industritë e mbrojtjes janë objektivat e tyre të preferuara”, shtoi Balluku.

Duke iu referuar sulmit kibernetik që preku edhe Shqipërinë, Balluku shtoi se vendi ynë ka nxjerrë mësimet e duhura, ndaj po investon edhe përmes përmirësimit të ligjit për të parandaluar të tilla fenomene.

“Shqipëria ka mësuar shumë nga sulmi i paprecedent kibernetik i kryer nga aktorë të sponsorizuar nga shteti, i cili synoi infrastrukturën e saj kritike të informacionit dhe ndërpreu shërbimet publike. Një nga gjërat më të rëndësishme që mësuam është se, pavarësisht nga madhësia e shtetit, është thelbësore të ndërtojmë qëndrueshmëri kibernetike kombëtare dhe të krijojmë bashkëpunim të fortë me aleatët dhe me partnerët tanë. Kjo na çon në çështjen thelbësore të zinxhirit të furnizimit, i cili përbën një nga dobësitë më serioze globalisht. Çrregullimet globale, duke filluar nga pandemia deri te kompleksiteti në rritje i zinxhirëve të furnizimit industrial dhe të mbrojtjes, kanë ekspozuar brishtësinë e këtyre rrjeteve”, tha ajo.

Ajo shtoi se Shqipëria si një anëtare e NATO-s, e ka kuptuar kërkesën strategjike për krijimin e një industrie të fortë të mbrojtjes për të zbatuar strategjinë e shkurajimit dhe mbrojtjes së NATO-s, ndajka përafruar plotësisht Angazhimin e Ri të Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s dhe ka kryer një rishikim të plotë të dokumenteve strategjike dhe kuadrit ligjor për të adresuar ringjalljen e industrisë së mbrojtjes. /vizionplus.tv

Read Entire Article