Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri deklarata të forta sot nga Vlora teksa akuzoi sërish ish-kryeminsitrin Berisha si politikan që ka humbur busullën edhe pse ishte vendosur në piedestal nga demokratët.
“Vlora dhe vlonjatët kanë ditur t’i vlerësojnë gjithmonë në histori, njerëzit të cilët kanë sakrifikuar nga vetja për diçka më të madhe se vetja.
Këtë bënë dhe demokratët në Vlorë. Në një moment kur ishte lehtë të tërhiqeshin pas, në një moment kur nuk ishte e vështirë të humbje rrugën, e bashkë me të edhe arsyen edhe motivimin, edhe vet orientimin ose busullën politike, siç e humbën shumë nga ata të cilët ne i kishim vendosur në piedestal.
Siç e humbën shumë ata që janë kërrusur nga pesha e medaljeve të marra nga demokratët, por që në ditën më të vështirë të PD nuk u gjendën aty as për demokratët, as për votuesit tanë as për vlerat e familjes tonë”, tha Basha duke shtuar se forca e vërtetë e Partisë Demokratike ka qenë gjithmonë motivi i bashkimit në këtë familje, që është t’i shërbejmë njerëzve, të jemi këtu me njerëzit dhe për njerëzit.
Basha tha se lidershipi i vërtetë i PD janë pikërisht demokratët.
“Lidershipi i vërtetë i PD janë demokratët. Janë njerëzit të cilët i përkasin familjeve të mëdha të Vlorës, të cilët janë pronarët, të përndjekurit, intelektualëve, profesionistëve, përfaqësuesve të sipërmarrjes. E djathta tradicionale shqiptare, dyert e mëdha të Vlorës, pronarët dhe të përndjekurit, sipërmarrja e ndershme të gjithë bashkë e dinë fare mirë se PD ka lindur si një tjetër, ndonëse rrugës shpesh prej këtyre vlerave u tradhtuan apo nuk u shërbyen ashtu siç u deklaruan në fillim”, tha kryetari i PD në Vlorë. /vizionplus.tv