Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediet ditën e sotme ka akuzuar ish-ministrin e Brendshëm Taulant Balla se është përfituesi kryesor i parave të aferës “Toyota Yaris”.
Sipas Berishës, dosja është dorëzuar në gjykatë e përgjysmuar. Berisha akuzon edhe kreun e SPAK, Altin Dumani dhe gjyqtaren Irena Gjoka se kanë gisht në përgjysmimin e fakteve që sipas tij implikojnë ish-ministrin Balla.
Berisha: Taulant Balla është mburoja politike dhe përfituesi kryesor politik i trafikut të narko-eurove dhe drogës nga klani Toyota Yaris. Pasi u mbyll kjo çështje në mënyrën më korruptive nga organet e drejtësisë shqiptare, dosja u hap përsëri.
Dhe aty dalin, jo vetëm Zarka, por edhe 4 prokurorë të tjerë dhe gjykatës të implikuar njëlloj, sa Zarka dhe më shumë se Zarka në dosjen Toyota Yaris. Aty del Taulant Balla njeri kryesor në këtë trafik. Mirëpo, të dhënat për Taulant Ballën me bekimin e mercenarit Dumani i kanë përgjysmuar në dosje gjykatësja kriminele me katër mbiemra, Irena Gjoka, etj.
Berisha kërkon krijimin e “Komisionit të së vërtetës”, pasi sipas tij është mënyra e vetme që krimet mos të fshihen nga shqiptarët.
Berisha: Krijimi i komisionit të së vërtetës është rruga e vetme për të bërë radiografi, në mënyrë që Dumanër, Gjoka, gjykatës, prokurorë kriminelë të mos mund t’i fshehin qytetarëve shqiptarë krime të shëmtuara të deputetëve të tyre, ministrave të tyre, kryeministrit të tyre.
Vetëm krijimi i një komisioni të së vërtetës që do të jetë pjesë integrale e programit të PD do mund të ndajë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë nga bota e krimit shtetëror-qeveritar të sotëm./vizionplus.tv