Biden: Dhoma e Përfaqësuesve të mbështesë ndihmën për Ukrainën ose do “t’i shërbejë Putinit”

8 months ago 20

Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje urgjente të martën Dhomës së Përfaqësuesve që të mbështesë ndihmën shtesë që do t’i sigurojë Ukrainës 60 miliardë dollarë në luftën e saj kundër Rusisë. Ai paralajmëroi se kundërshtimi i paketës së ndihmave do t’i “shërbejë Putinit”.

“Mbështetja e këtij projektligji do të thotë dalje përballë Putinit, kundërshtimi i saj do t’i shërbejë Putinit,” deklaroi Presidenti Biden. “Historia po na gjykon.”

Mëngjesin e të martës Senati miratoi ndihmën me vlerë prej 95.3 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, pas negociatave të vështira që zgjatën me muaj dhe pas dallimeve politike në rritje brenda Partisë Republikane mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

Presidenti Biden po ashtu kritikoi ish Presidentin Donald Trump, kandidatin kryesor republikan në zgjedhjet e nëntorit, i cili të shtunën gjatë fushatës paralajmëroi se do të lejonte Rusinë të bëjë çfarë të dëshirojë me shtetet anëtare të NATO-s që nuk i përmbushin detyrimet ndaj aleancës.

“Kur Amerika e jep fjalë, ajo ka peshë,” deklaroi zoti Biden. “Donald Trumpi e konsideron këtë si barrë.”

Votimi në Senat u arrit pasi një grup i vogël i ligjvënësve republikanë kundërshtuan ndihmën 60 miliardë dollarëshe për Ukrainën dhe debatuan gjatë natës duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara duhet të përqendrohen në problemet e tyre para se të dërgojnë ndihma në vendet tjera.

Por 22 ligjvënës republikanë votuan krahas pothuajse të gjithë ligjvënësve demokratë për ta mbështetur paketën me 70 vota pro dhe 29 kundër. Përkrahësit e kësaj pakete argumentuan se braktisja e Ukrainës do ta trimërojë presidentin rus dhe do të kërcënonte sigurinë në mbarë botën.

Miratimi i paketës nga Senati, me përkrahjen republikane, është një shenjë e mirëpritur për Ukrainën që po përballet me mungesa kritike në fushëbetejë.

Megjithatë, paketa e ndihmës përballet me një të ardhme shumë të pasigurt në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët e vijës së ashpër, të afërt me ish Presidentin Donald Trump, që kritikon përkrahjen për Ukrainën, e kundërshtojnë projektligjin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i shtoi dyshimet, duke e bërë të qartë se do të duhen javë ose muaj përpara se Dhoma e Përfaqësuesve t’i dërgojë projektligjin Presidentit Biden, nëse e miraton atë.

Presidenti Biden i bëri thirrje zotit Johnson që të lejojë mbajtjen e votimit për paketën e miratuar nga Senati.

“Të ecim përpara”, tha zoti Biden. “Nuk mund të tërhiqemi tani. Këtë e dëshiron Putini.”

Paketa e ndihmave do të mundësojnë blerjen e pajisjeve ushtarake të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore./VOA

Top Channel

Read Entire Article