Përzgjiedhja e Drejtorit të ri të Policisë së Shtetit ka ngjallur debate në studion e emisionit “Quo Vadis” në Vizion Plus.
Gazetari Esido Barkaj dhe Shemsi Prençi, një nga kandidatët e skualifikuar nga gara, janë përplasur mes tyre për procesin e përzgjedhjes dhe për emrat që mund të drejtojnë uniformat blu.
Prençi tha se uron që disa nga kandidatët ta kalojnë vitin e ri në shtëpi dhe jo në burg, teksa theksoi se policët që janë ndëshkuar për abuzim me detyrën e tyre, i përkasin brezit të ri.
Nga ana tjetër gazetari Barkaj e pyeti nëse brezi i tij mund të luftojë krimin.
Debati:
Barkaj: Nëse ju do fitonit Policinë e Shtetit, me kë do punonit?
Prençi: Me këta.
Barkaj: Atëherë nuk qenkan aq të këqinj këta?
Prençi: Ju jeni gazetarë. Unë këtu nuk kam ardhur të vë gishtin. Ti mos kërko nga unë të përgojoj emra.
Barkaj: Absolutisht jo. Ju pyeta nëse do vendoseshit në krye.
Prençi: Ka një problem, një pjesë prej këtyre, që kemi trumbetuar me të madhe vetëpastrimin dhe nuk e kemi bërë, vetëm kur na e ka arrestuar SPAK-u.
Barkaj: Janë arrestuar edhe nga AMP-ja.
Prençi: Gjithmonë AMP atë punë ka bërë.
Barkaj: Në kohën tuaj kush është arrestuar nga policia.
Prençi: Të arrestuarit e viteve të fundit janë të rekrutuarit e brezit të fundit, askush nga brezi im dhe i Rrumbullakut nuk është proceduar apo arrestuar.
Barkaj: Brezi juaj e lufton dot krimin? /vizionplus.tv