Dy vëllezër, pronarë të një servisi makinash, janë vënë në pranga nga policia e Durrësit pas një konflikti me një klient. Ky i fundit ka çuar automjetin e tij për ta lyer në servisin e dy të arrestuarve, por ata jo vetëm që nuk i kanë ofruar shërbimin, por e kanë përdorur makinën si personalen e tyre.
Në momentin që pronari i mjetit i ka konstatuar duke lëvizur me makinën e tij, dy vëllezërit kanë tentuar ta shtypin duke e marrë mbi kofanon e automjetit.
“Në Shkozet, në rrugën që të çon te kualidimi, shtetasi E. A. ka konstatuar 2 vëllezërit që lëviznin me automjetin e tij. Ai i ka dalë para automjetit, që ta ndalonte, por vëllezërit kanë tentuar ta shtypin, duke e marrë në kofanon e automjetit, deri në afërsi të universitetit. Më pas ata kanë përplasur automjetin me trafikndarësen, e kanë braktisur atë dhe janë larguar”, thuhet në njoftim.
Shtetasi E. A. nuk ka pësuar dëmtime fizike dhe ka njoftuar menjëherë Policinë, për ngjarjen e ndodhur./vizionplus.tv/