Largimi i të rinjve përveç pasojave direkte në ekonomi, shkakton edhe probleme të shëndetit mendor, veçanërisht te mosha e tretë.
“Është e vërtetë që hasim dhe trajtojmë persona 70, 80, 90 vjeçarë që ankohen për braktisje nga fëmijët dhe familjarët. Jetojnë vetëm, nuk kanë motiv për të dalë jashtë shtëpisë. Ka nga ata që nuk e përballojnë dot largimin nga jeta të bashkëshortit apo bashkëshortes.
Ata ankohen se ndihen të pavlefshëm, të lënë pas dore, se nuk mësohen dot me moshimin. Ka raste kur fëmijët iu dërgojnë para, por nuk e mbushin dot anën emocionale.
Simptomat që referojnë janë ankth, probleme me frymëmarrjen, aritmi, tension i lartë, dhimbje trupi, kockash, koke, që jo domosdoshmërish ua shkakton mosha.
Ashtu siç ka 70 vjeçare që janë aktivë, ndihmojnë në familje dhe punojnë tek privati. Këshilla që unë u jap këtyre moshave është të kërkojnë ndihmën e profesionistëve të shëndetit mendor. Çdo Qendër Shëndetësore ka tashmë psikologun e saj që në bashkëpunim me mjekun e familjes bëjnë më të mirën për ta. Mos t’i neglizhojnë simptomat, por të paraqiten menjëherë për ndihmë”– shprehet mjekja psikiatre, Valentina Asabella.
Top Channel