Seanca plenare e kësj të enjteje është anuluar, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 17 tetor.
Mësohet se grupet palamentare janë njoftuar për anulimin e seancës. Ditën e nesërme në Tiranë do të vijë presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili do të inauguruojë xhaminë e Namazgjasë pranë parlamentit. Nuk dihet nëse kjo ka qenë arsyeja e anulimit të seancës plenare.
“Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 10 tetor, është anulluar dhe do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendi”, thuhet në njoftim.
Sakaq, për ditën e nesërme ishte paralajmëruar edhe aksioni i radhës i PD-së në parlament me deputetët që po tentonin sërish kaosin si dy seancat e shkuara.
Policia e Shtetit ka marrë masa për të garantuar sigurinë e Presidentit duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.
Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.
Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:
Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat që ka ndërrmarrë dhe do të zbatojë gjatë vizitës së Recep Tayyip Erdoğan.
Erdogan do të pritet me ceremoni zyrtare rreth orës 11:30.
Më pas ai do të ketë një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, që do të pasohet nga mbledhja e Këshillit të Bashkërendimit të Nivelit të Lartë, firmosja e marrëveshjeve dhe një konferencë për shtyp.
Ndërkohë, në orën 16:30 pritet të fillojë inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë./vizionplus.tv