Fermerët spanjollë nuk tërhiqen, bllokojnë disa rrugë me traktorë

9 months ago 24

Fermerët në Spanjë po protestojnë sot për të katërtën ditë radhazi për shkak të masave mjedisore të Bashkimit Evropian, rritjes së kostove të prodhimit dhe konkurrencës së pandershme nga vendet jashtë BE-së.

Për arsye të ngjashme, fermerët kanë qenë në grevë në disa vende të BE-së gjatë javëve të fundit.

Protestat u zhvilluan sot në qytetet Oviedo, Pamplona dhe Zaragoza në veri të vendit, ku traktorët bllokuan disa rrugë.

Sipas tyre, politika e Bashkimit që synon luftimin e ndryshimeve klimatike ndikon keq tek fermerët sepse rrit kostot e prodhimit dhe rrit çmimet e produkteve të tyre në krahasim me produktet e importuara nga vendet jashtë BE-së.

Megjithëse Komisioni Evropian bëri disa lëshime javët e fundit dhe vonoi hyrjen në fuqi të masave për të reduktuar përdorimin e pesticideve dhe substancave të tjera të rrezikshme, protestat janë përhapur.

Fermerët spanjollë thonë gjithashtu se një ligj që synon të garantojë që zinxhirët e mëdhenj të blejnë prodhimet e tyre me çmime të drejta nuk po zbatohet.

Një grup fermerësh, të cilët nuk janë pjesë e asnjë prej tre shoqatave që po organizojnë protesta në Spanjë, u bënë thirrje që në mesnatë të shkojnë me traktorë në Madrid, ku nesër do të mbahet një protestë përpara selisë së Partisë Socialiste në pushtet.

Protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa më 21 shkurt është paralajmëruar një demonstratë e madhe në Madrid.

Disa media spanjolle i lidhën protestat me grupet konservatore dhe të ekstremit të djathtë. Policia njoftoi se gjatë protestave të kësaj të diele janë arrestuar 20 persona. /vizionplus.tv

Read Entire Article