Në Shqipëri janë të konfirmuara 17 raste me fruth,të shpërndara në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Kjo gjendje ka shkaktuar panik, ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje që të kryhen vaksinat e fruthit.
Të njëjtën thirrje bën edhe mjekja infeksioniste, Svetllana Bitincka.
“Situata nuk është alarmante. Nuk është e pazakontë për Shqipërinë. Në 2018 patëm epidemi të fruthit më të madhe. Fruthi prek gjithë popullatën e paimunizuar. Mbulesa vaksinale, duhet të jetë të 95%. Niveli i vaksinimit ka rënë si shkak i keqinformimit në internet dhe frikës së prindërve për autizmin”, shpehet mjekja.
Mjekja ka thënë se këto janë sëmundje që sinjalizohen duke renditur një sërë shenjash.
“Shenja e parë është, një gjendje virale, por që për 3-4 ditë nis skuqja e lëkurës dhe syve. Janë 3-4 ditë me temperaturë që nuk e dallon, por duhet të jemi të vëmendshëm, duke qenë në djeni të fruthit. Nëse ka kontakt me fëmijë të tjerë të infektuar në kopësht. Fruthi përhapet si flaka e kashtës. Infekton me një kontakt shumë të shkurtër, numri mund të rritet shumë shpejt nga 1-15”, shprehet Bitincka.
Mjekja thotë se gjëja e parë që duhet të bëjnë prindërit kur kuptojnë se fëmija është i infektuar me fruth është ta izolojnë në shtëpi.
“Fëmija duhet të mbahet në shtëpi. Pastaj duhet ndjekur duke monitoruar temperaturën, kollën, djersën që shfaqen para shenjave në lëkurë. Duhet qëndruar në ambjente të ngrohta dhe të konsumohet Vitaminë C.”, ka këshilluar mjekja Svetllana Bitincka./vizionplus.tv