Një varkë është përmbysur këtë të shtunë pranë ishullit spanjoll El Hierro, ku si pasojë kanë humbur jetën 9 emigrantë dhe rezultojnë të zhdukur 48 të tjerë.
Shërbimet e urgjencës ishin në gjendje të shpëtonin 27 nga 84 emigrantët që po përpiqeshin të arrinin në bregdetin spanjoll.
Autoritetet spanjolle thanë se emigrantët ishin nga Mali, Mauritania dhe Senegali.
Ekipi i shpëtimit mori një telefonatë pak pas mesnate me orën lokale nga anija, e cila ndodhej rreth katër milje në lindje të El Hierro.
“Të gjithë emigrantët në bord u përqendruan në të njëjtën anë të varkës gjatë shpëtimit, gjë që bëri që ajo të përmbysej. Të gjithë ranë në det. Era dhe moti i keq e bënë shpëtimin jashtëzakonisht të vështirë”, tha Manuel Barroso, kreu i shërbimeve të shpëtimit detar të Spanjës.