Hiqeshin si zyrtarë të lartë, çifti i bashkëshortëve kërkoi t’i zhvaste përmes mashtrimit 8 mijë euro operatorit ekonomik, pranga edhe mikes së tyre

2 months ago 25

Një rast mashtrimi dhe zhvatjeje në grup teksa hiqeshin si zyrtarë të lartë shtetërorë nëpërmjet platformës Signal, është goditur nga organet ligjzbatuese.

Policia e Vlorës njoftoi se finalizoi operacionin e koduar “Notification”, për goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë, duke tentuar të merrnin 8 mijë euro nga një biznesmen vendor që i denoncoi.

Tre persona ranë në pranga, mes të cilëve një çift bashkëshortësh dhe bashkëpunëtorja e tyre.

I dëmtuari njihet si një operator ekonomik në zonën e Himarës.

Ndërhyrja u bë pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë”, tha policia vendore.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se pasi kanë kontaktuar biznesmenin nëpërmjet një numri telefoni, “të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, kanë rritur edhe besueshmërinë e kërkesave të tyre, për të përfituar shumën prej 8 000 euro.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë, teksa vijon hetimi aktiv për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.    

Gjithashtu Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apeloi për qytetarët, që “të raportojnë menjëherë për çdo rast të mashtrimit apo të përpjekjes për mashtrim, për t’i parandaluar raste të tilla”, njofton policia./vizionplus.tv

Read Entire Article