Nga viti i ardhshëm sigurimi i makinave do të pësojë ndryshime, pasi do të ketë një metodologji të re të përllogaritjes të primit. Në bazë të faktorëve të riskut të përcaktuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është përcaktuar një faktor i ri, që është qarku i regjistrimit të mjetit. Erlad Hysa, konsulent i tregut të sigurimeve, i ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus sqaroi se ky kriter nuk pritet të favorizojë shumicën e drejtuesve pozitiv.
“Nëse do të flasim për anët negative të kësaj rregullore do të evidentoja elementin e vendndodhjes, pra ku është regjistruar mjeti. Berati, Kukësi dhe Dibra do të jetë tre qarqet ku siguracioni do të kushtojë më lirë në raport me qarqet e tjerë. Por të tre këto qarqe nuk bëjnë më shumë se 60 mijë makina. Çka do të thotë të gjithë mjetet e në zonat e tjera do të kenë koeficient më të lartë, për rrjedhojë edhe çmim më të lartë“, sqaroi Hysa.
Sipas Hysës me këtë rregullore nuk është ndjekur eksperienca e vendeve të Bashkimit Europian, por është bërë një miks kriteresh që janë përshtatur me realitetin shqiptar.
“Ajo që të bie në sy është se kjo rregullore nuk ka të përcaktuar se si do të përllogaritet sigurimi I mjeteve elektrike. Vitet e fundit kemi më shumë se dy mijë mjete në qarkullim për të cilat kjo rregullore që duhet të ishte në zbatim që nga viti 2021, duhe të përfshinte dhe të kalkulonte primin për mjete të tilla”, tha Hysa
Ekspertët janë të mendimit se metodologjia e re e përcaktimit të çmimit të sigurimeve duhet të sqarohet dhe të jetë transparente për konsumatorët, pasi një pjesë e tyre, kryesisht ata me dëme, do të ngarkohen me kosto shtesë.